Gazetari i Report Tv, Isa Myzyraj, ka arritur të futet brenda Ministrisë së Arsimit. Pamjet që sjell Report Tv tregojnë shkatërrimin e shkaktuar pas sulmit të dhunshëm me gurë e molotovë nga protestuesit.

Gurët janë ende të shpërndarë nëpër sallat e Ministrisë së Arsimit. Ambientet janë shkatërruar, ndërsa dokumente të shumta janë djegur.

Lajm në përditësim...

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:22
Sulmet e protestuesve, Ministria e Drejtësisë një ‘gërmadhë’! Shkatërrohet plotësisht fasada e jashtme, zyrat në katin e parë dhe tavani (VIDEO)

 

Pamja e Ministrisë së Drejtësisë ditën e sotme, pas protestës së dhunshme të së mërkurës, i ngjason asaj të institucioneve të tjera të qeverisë që u sulmuan.

Fasada e jashtme është plotësisht e dëmtuar dhe e shkatërruar, me xhamat e thërrmuar, tavani në katin e parë është i shkëputur, pllakat janë thërrmuar dhe mobiliet janë djegur.

Ora 09:21
Shkatërrimet që lanë pas protestuesit, punonjësit e bashkisë Tiranë në punë gjatë gjithë natës për t’i ‘fshirë’

Ministrja Delina Ibrahimaj dhe kreu i grupit të PS, Taulant Balla, kanë ndarë disa foto nga puna e punonjësve të bashkisë së Tiranës që përgjatë gjithë natës kanë punuar për të pastruar qytetin nga gjurmët e dëmtimeve që lanë pas protestuesit të mërkurën.

“Mirënjohje për punonjësit e Bashkisë së Tiranës, të cilët punuan gjatë gjithë natës për të pastruar gjurmët e shkatërrimeve dhe për t’i rikthyer qytetit normalitetin”, ka shkruar Ibrahimaj.

Ora 08:56
Tirana pas kaosit, gjurmët e natës së trazirave së protestuesve! Kryeqyteti ‘i gjymtuar’ nga dhuna, pasojat e shkatërrimit duken në rrugë e biznese (VIDEO)

Tirana nuk është zgjuar sot në gjendjen e saj të zakonshme. Ndryshe nga ditët e tjera, mëngjesi në kryeqytet ka zbardhur duke treguar gjurmët e protestës së dhunshme të një dite më parë që preku çdo cep të rrugëve kryesore.

Është një lloj situate pasigurie dhe në orët e para ndihej edhe një lloj habie nga kalimtarët që shihnin gjithë shkatërrimet.

Semaforë e tabela rrugore të thyera të cilat krijojnë kaos për automjetet dhe këmbësorët, kioska rrugësh e stacione autobusësh të shkatërruar e të djegur, xhama e bankomatë të thyer, pllaka trotuari që mungojnë.

Te Kullat Binjake shihen edhe më qartë pasojat që ka lënë djegia e dëmtimi i tejskajshëm bizneseve private ku nuk duket më asnjë gjurmë.

Te ‘Piramida’, një tjetër pikë e përzgjedhur nga protestuesit, disa nga kubat ku ndodheshin bizneset janë djegur, thyer e më pas grabitur, e njësoj edhe brenda.

Ndërkohë, punonjësit e bashkisë po përpiqen të pastrojnë ç’mundin, ndërsa panorama e tanishme i ka lënë vendin një gërmadhe.

Ora 08:38
Shënjestër e protestuesve, Ministria e Ekonomisë ndër më të dëmtuara nga sulmet! Report Tv sjell pamjet, mobiliet pirg në hyrje, brenda dyer, ashensorë e pajisje të shkatërruara

Ministria e Ekonomisë duket të jetë ndër më të dëmtuarat nga sulmet e protestuesve gjatë së mërkurës që prekën 8 institucione.

Në momentin që protestuesit mësynë brenda saj, morën mobiliet që u dolën përpara duke i hedhur pirg në hyrje, aty ku kanë mbetur ende, tregojnë pamjet e Report Tv mëngjesin e sotëm.

Xhamat e dritareve janë thyer, kangjellat e tyre të shtrembëruara e deri edhe grilat janë hequr prej protestuesve, një pjesë e mirë e të cilëve ishin të maskuar.

Dyert janë shkelmuar e copëtuar, në tokë shihen copa të panumërta gurësh e pllakash që protestuesit i hidhnin si breshëri drejt godinës.

Dyshemeja është mbuluar edhe nga dheu i vazove të rrëzuara në tokë, ndërsa në zyra pajisjet si fotokopjet e kompjuterët janë shkatërruar.

Edhe një ashensor shihet të jetë dëmtuar dhe nxjerrë nga përdorimi.

SI.E./E.H/Shqiptarja.com
Sa e vlerësoni këtë artikull?
★ ★ ★ ★ ★

Komente

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës: 15 Tetor, 13:43

    A i mbështesni protestat e dhunshme në vend?