Tirana nuk është zgjuar sot në gjendjen e saj të zakonshme. Ndryshe nga ditët e tjera, mëngjesi në kryeqytet ka zbardhur duke treguar gjurmët e protestës së dhunshme të një dite më parë që preku çdo cep të rrugëve kryesore.
Është një lloj situate pasigurie dhe në orët e para ndihej edhe një lloj habie nga kalimtarët që shihnin gjithë shkatërrimet.
Semaforë e tabela rrugore të thyera të cilat krijojnë kaos për automjetet dhe këmbësorët, kioska rrugësh e stacione autobusësh të shkatërruar e të djegur, xhama e bankomatë të thyer, pllaka trotuari që mungojnë.
Te Kullat Binjake shihen edhe më qartë pasojat që ka lënë djegia e dëmtimi i tejskajshëm bizneseve private ku nuk duket më asnjë gjurmë.
Te ‘Piramida’, një tjetër pikë e përzgjedhur nga protestuesit, disa nga kubat ku ndodheshin bizneset janë djegur, thyer e më pas grabitur, e njësoj edhe brenda.
Ndërkohë, punonjësit e bashkisë po përpiqen të pastrojnë ç’mundin, ndërsa panorama e tanishme i ka lënë vendin një gërmadhe.

Ministrja Delina Ibrahimaj dhe kreu i grupit të PS, Taulant Balla, kanë ndarë disa foto nga puna e punonjësve të bashkisë së Tiranës që përgjatë gjithë natës kanë punuar për të pastruar qytetin nga gjurmët e dëmtimeve që lanë pas protestuesit të mërkurën.
“Mirënjohje për punonjësit e Bashkisë së Tiranës, të cilët punuan gjatë gjithë natës për të pastruar gjurmët e shkatërrimeve dhe për t’i rikthyer qytetit normalitetin”, ka shkruar Ibrahimaj.
Ministria e Ekonomisë duket të jetë ndër më të dëmtuarat nga sulmet e protestuesve gjatë së mërkurës që prekën 8 institucione.
Në momentin që protestuesit mësynë brenda saj, morën mobiliet që u dolën përpara duke i hedhur pirg në hyrje, aty ku kanë mbetur ende, tregojnë pamjet e Report Tv mëngjesin e sotëm.
Xhamat e dritareve janë thyer, kangjellat e tyre të shtrembëruara e deri edhe grilat janë hequr prej protestuesve, një pjesë e mirë e të cilëve ishin të maskuar.
Dyert janë shkelmuar e copëtuar, në tokë shihen copa të panumërta gurësh e pllakash që protestuesit i hidhnin si breshëri drejt godinës.
Dyshemeja është mbuluar edhe nga dheu i vazove të rrëzuara në tokë, ndërsa në zyra pajisjet si fotokopjet e kompjuterët janë shkatërruar.
Edhe një ashensor shihet të jetë dëmtuar dhe nxjerrë nga përdorimi.











Komente
Komento