Flet për Report Tv Fidan Bejta, ‘Heroi i vitit 2018’ në Suedi. Në një lidhje telefonike nga Malmo e Suedisë, Bejta ka treguar me detaje atë që ka ndodhur më 13 maj 2018, kur ai ndërhyri për të shpëtuar 20 fëmijë nga një grua e cila po përpiqej t’i qëllonte me thikë (LEXO KETU).
Isha jashtë me djalin duke shëtitur. E lashë djalin jashtë dhe hyra të vishesha. Dëgjova nga jashtë zëra se një grua po ndiqte me thikë disa fëmijë. Iu afrova gruas në oborr. E pyeta çfarë je duke bërë dhe u përpoq të më qëllonte me mua. E lashë 2 minuta duke u konfliktuar me mua, në mënyrë që të përqëndrohej tek unë dhe jo tek fëmijët. Një fqinji im, arab, u afrua në mënyrë që gruaja të ikte dhe të kthehej me kurriz. Kur ajo u kthye unë e qëllova në kurriz. Ajo ishte me problem të shëndetit mendor. Nuk i kishte konsumuar rregullisht ilaçet e saj. Fëmijët ishin të trembur, por që prej atij momenti sot më thërrasin “heroi” “heroi”.
Fidan Bejta, heroi shqiptar në Suedi
Bejta ka folur edhe për mesazhin e marrë nga idhulli i tij, ylli suedez i Futbollit, Zlatan Ibrahimoviç. Bejta tha:
"Ishte shumë emocionuese, Zlatan Ibrahimoviç më uroi për veprën time. Ai më ftoi që të shihja në stadium një ndeshje të tij të futbollit. Kam 4 motra, ne jemi nga Skënderaj i Kosovës. Kam 20 vite që jetoj në Suedi."
Shqiptari Fidan Bejta është shpallur mbrëmjen e djeshme "Heroi i vitit 2018" në Suedi. Në një ceremoni gala, Bejta u urua edhe nga ylli Zlatan Ibrahimovic por jo vetëm. Gjithë Suedia flet tashmë për shqiptarin nga Kosova që ka zënë faqet e para të të gjitha mediave të shtetit nordik.