Ekskluzive/ Skandali me diplomat false, dy ish-rektorët e Wisdom tregojnë si zbuluan skenën! Përpali: U dorëhoqa kur i pashë me firmën time

Lush Përpali, ishte rektor në “Wisdom” prej vitit 2017 kur Kolegji Universitar u hap për herë të parë në Tiranë. Por 6 vjet më pas, në vjeshtë të vitit 2023, zbuloi disa diploma të parregullta, me firmën e tij të falsifikuar dhe pa vulën e  kryesekretarit të kolegjit, siç vetë ai kishte urdhër të ndodhte në çdo dokument: me 2 firma.

Për Report Tv, ish-rektori Përpali i vetëlarguar nga Wisdom në janar të 2024-ës pasi zbuloi skandalin e diplomave false, vë në dispozicion edhe këtë certifikatë aftësish, master edukimi special për arsimin parauniversitar, program që as nuk ekziston në Wisdom. Firma,- thotë Përpali, nuk është autentike. Ish-rektori zbulon se edhe pasuesi i tij që emëruan drejtuesit e Wisdom, Bajram Hysa, u largua nga detyra në qershor të këtij viti (2024), pasi edhe ai, zbuloi një tjetër skandal. 

Report Tv kontaktoi edhe me ish-rektorin Bajram Hysa, i cili zbulon se Wisdom në Tiranë kishte lidhur një marrëveshje fiktive me një institucion në Itali të sajuar nga vetë pronarët e kolegjit universitar. Italianë të mashtruar – thotë Hysa – të cilët kishin marrë diploma me lekë, erdhën te ambasada italiane në Tiranë për të noterizuar këto certifikata. Dhe pikërisht këtu fillon të dalë në pah, mashtrimi: Marrëveshja mes 2 universiteteve as që nuk ekzistonte!

Për të proceduar, Ambasada i kërkoi informacion Ministrisë së Arsimit nëse diplomat e sjella nga italianët njiheshin në Shqipëri. Ndoshta e panjohur me këtë situatë, ministria iu drejtua Kolegjit universitar Wisdom në pranverë të këtij viti kur rektor ishte Bajram Hysa. Ish-rektori – tregon për Report Tv se – pikërisht në këtë moment zbuloi që certifikatat e italianëve mbanin firmën e paraardhësit të tij të dorëhequr Lush Përpali dhe njoftoi ministrinë se gjithçka është false.

Ministria e Arsimit nuk bëri të qartë asnjë detaj, por zyrtarisht vetëm dy ditë më parë tha se kreu kontroll në muajin korrik te Wisdom, dhe nga shkeljet që zbuloi, pa i bërë ato publike, nuk e certifikoi kolegjin për këtë vit akademik. Ky kontroll, nga sa ish-rektorët tregojnë, duket të jetë bërë vetëm pas zbulimeve të tyre.

Dy ish-rektorët, Lush Përpali dhe Bajram Hysa, nisën betejën që çështja të shkonte në dyert e drejtësisë shqiptare, me kallëzim në polici i referuar edhe në prokurorinë e Tiranës, pavarësisht se organi i akuzës pyetur nga Report Tv, thotë se nuk ka hetime të hapura.

Pasi Bajram Hysa kishte njoftuar ministrinë, iu drejtua Policisë së Tiranës me një kallëzim, i cili u referua në prokurori. Sipas Hysës, në 1 korrik 2024, bashkë me Përpalin janë thirrur në Prokurorinë e Tiranës për të dhënë shpjegime për çështjen nga prokurorja Antoneta Sevdari. Ndërkohë, Lush Përpali thotë se më 15 korrik i është drejtuar sërish prokurorisë me kallëzim, kjo e konfirmuar nga mandati i pagesës në postë dhe gjurmimi i dorëzimit të tij përmes aplikacionit të postës.

2 administratorët e Universitetit Wisdom u arrestuan gjatë një operacioni të Guardia di Finanza në Itali, si “arkitektët” e një skeme mashtrimi me diploma false bashkë me 7 të tjerë. Aktivitet i paligjshëm, që siç Report Tv po zbulon, ka depërtuar edhe në Shqipëri.

Në një nga përgjimet e autoriteteve italiane, del se presidentja e bordit të akreditimit të universiteteve, Shqiponja Telhaj është korruptuar nga çifti italian i bashkëshortëve të Wisdom me një çantë Louis Vuitton 1200 euro.

M.Q./E.B/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A mund të vendosë vota e diasporës fatin e zgjedhjeve 2025?



×

Lajmi i fundit

‘Ti e dije që jeta ime s'ka kuptim pa ty’, ndarja nga jeta e Gerti Bogdanit, reagon bashkëshortja e tij: Do të të dua përjetë

‘Ti e dije që jeta ime s'ka kuptim pa ty’, ndarja nga jeta e Gerti Bogdanit, reagon bashkëshortja e tij: Do të të dua përjetë