Ekskluzive/ Skema e mashtrimit nga nënë e bijë, si u vodhën 84 mijë € me karta të klonuara turistëve nga Singapori, Kina e Italia

Ekskluzive/ Skema e mashtrimit nga nënë e bijë, si u vodhën 84 mijë € me karta të klonuara turistëve nga Singapori, Kina e Italia

Hoteli 'Lucas' në Xhafzotaj ku nënë e bijë vidhni turistët me karta të klonuara

Silvana dhe Blerina Gega, nënë e bijë janë arrestuar nga prokuroria e Durrësit, pasi është provuar se ishin implikuar në një skemë të ndërlikuar të vjedhjes së eurove nëpërmjet pajisjeve POS. Ndërkohë në kërkim janë shpallur tre persona nga Italia dhe një Shqiptar.

Nënë e bijë menaxhonin prej majit 2019 një hotel dhe Bar-Restorant me emrin “Lucas” në Xhafzotaj të Durrësit. Ky biznes në pjesën më të madhe të kohës ka qëndruar i mbyllur, ndërkohë nënë e bijë e kishin marrë me qira tek një person tjetër, me qëllimin e vetëm për të vënë në zbatim një skemë të ndërlikuar të vjedhjes së eurove. Pavarësisht se nuk kryente aktivitet, në dokumentacionin që Silvana Gega ka paraqitur në bankë dhe prokurori, tregonte se hotelin e kishin rezervuar persona nga Singapori, Kina, Italia etj.

Hetimi i kryer prej muajit shtator 2019 dhe deri në Maj 2020 nga prokurori Edmond Kaloshi, ka konstatuar se është vjedhur në total shuma prej 84 mijë euro. Nga kjo shumë sipas prokurorisë Silvana Gega ka tërhequr shumën prej 59 mijë euro.

Nga verifikimi i kryer në sistemin TIMS, ka rezultuar se asnjë nga klientët dhe kartëmbajtësit e mësipërm nuk kanë hyrë në Shqipërisë dhe nuk kanë qenë me pushime në hotelin “Lucas”. Ky hotel sipas informacioneve policore shpesh herë përdorej për ushtrim prostitucioni. Lidhur me çështjen e mashtrimit kompjuterik duke vjedhur dhe eurot, prokuroria e Durrësit ka arrestuar dhe një person tjetër me inicialet M.B, të cilin nënë e bijë e kishin punësuar kundrejt 400 mijë lekë të vjetra si kamerier.

Ky person është njeriu që ka kryer regjistrimin e hotelit në faqet e internetit “Booking” dhe “Expedia”. Sipas dokumentacionit të policisë në 13 maj 2019 Silvana Gega është paraqitur në sportelin e një banke të nivelit të dytë, për çeljen e një llogarie biznesi me aktivitet bar, restorant, hotel. Silvana Gega ka qenë e shoqëruar nga e ëma e saj Blerina Gega, e cila është përfaqësuese me prokurë në llogaritë e Silvanës. Pas çeljes së llogarisë, thotë policia dhe prokuroria e Durrësit, Silvana ka bërë kërkesë pranë bankës në Durrës, që në ambientet e hotelit, ku do të ushtronte aktivitetin, të pajiset edhe me terminal POS, shërbim që bën të munduar pagesat me karta kredit-debit dhe pagesa online nga interneti.

Në kuadër të kësaj kërkese në datën 22 maj 2019, është lidhur kontrata për vendosjen e terminalit “POS” dhe shërbimet përkatëse midis Silvana Gega dhe bankës. Pasi është instaluar terminali “POS” nga shërbimet e Bankës,është konstatuar se Silvana Gega, nëpërmjet terminalit “POS”, ka përfituar fonde me karta bankare të huaja, të cilat dyshohet se janë të klonuara apo me të dhëna të vjedhura, nëpërmjet rezervimit në platformat e internetit “Booking”, “Expedia”, etj. Këto shuma financiare janë dhënë, duke mos pasur asnjë dokument justifikues apo dokumente të cilat janë të detyrueshme të mbahen nga tregtari në shërbimin e ofruar.

Nga verifikimet e kryera, ka rezultuar se ky aktivitet tregtar “Shërbime Hotelerie” është krijuar enkas për të përfituar nga përdorimi i kartave të kreditit të falsifikuara apo me të dhëna të vjedhura, ndërkohë që ky hotel nuk ushtron veprimtari realisht. Ndërkohë nga banka është dërguar lista e veprimeve te raportuara nga procesori i kartave dhe bankat e kartëmbajtëse të cilat janë denoncuar si mashtrime dhe që arrijnë në total në shumën 84 mijë euro. Nga kjo shumë është tërhequr nga Silvana Gega shuma prej 59 mijë euro. Nga verifikimi i kryer në sistemin TIMS, ka rezultuar se asnjë nga klientët dhe kartëmbajtësit, nuk kanë hyrë në Shqipëri dhe nuk kanë qenë me pushime në hotel “LUCAS”.

Nga verifikimet që kanë kryer bankat përkatëse ka rezultuar se këto shtetas nuk kanë autorizuar veprime të tilla me kartat e tyre por atyre iu janë vjedhur të dhënat e kartave dhe me to janë kryer transaksionet e mësipërme, sikur janë kryer rezervime me pagesë të plotë apo dhe të pjesshme për këtë hotel. Për justifikimin e transaksioneve Silvana Gega, ka paraqitur disa printime të rezervimeve të bëra në aplikacionin “Booking” dhe “Expedia”, si dhe disa kopje të dokumenteve të identitetit dhe kartave të kreditit. Nga studimi i këtyre dokumenteve rezulton se shumica e këtyre dokumenteve iu përkasin shumë personave nga Singapori, si dhe disa shtetasve italiane, etj. Po kështu nga komunikimet e kryera me platformat “Booking” dhe “Expedia”, ka rezultuar se këto komunikime janë kryer në emër të subjektit tregtar “LUCAS”, nëpërmjet adresës së e-mailit që i përket kamarierit me inicialet M.B, që kishin punësuar nënë e bijë.

Policia ka marrë në pyetje, kamarierin M.B, dhe ky i fundit ka treguar se ishte kontaktuar nga Blerina Gega, e cila i ka kërkuar që të hapte llogari në “Booking” dhe “Expedia”, pasi ajo kishte marrë me qira një hotel me emrin “Lucas” dhe i duhej të punonte me shitjen e shërbimeve të këtij hoteli në këto platforma interneti. Këtë aktivitet Blerina Gega, e kishte regjistruar në QKB, në emër të të bijës së saj Silvana Gega. Kamarieri tregoi para policisë se bashkë me Blerinën, i ka ardhur edhe një person tjetër shqiptar si dhe tre shtetas italiane, të cilët i kanë thënë se kishin agjenci udhëtimi në Itali dhe do të punonin për hotel “Lucas”, duke bërë rezervime. Për këtë punë M.B do të punësohej si kamarier dhe do paguhej 40.000 lekë në muaj. Pasi kanë rënë dakort M.B. ka aplikuar dhe është regjistruar në këto platforma duke vënë e-mailin e tij, të dhënat e hotelit, si dhe llogarinë bankare të Silvana Gegës, numrin e telefonit, etj. Të gjitha prenotimet do të vinin në e-mailin e tij dhe ai do t'i printonte dhe t'i dërgonte të dhënat tek Blerina Gega.

Sipas dëshmisë së kamarierit, fillimisht personi shqiptar, i cili është paraqitur si mik i Blerina Gegës dhe tre italianëve, ka provuar të bënte rezervime në “booking” për të parë nëse kishte hyrë në funksion ky shërbim, por nuk ka funksionuar. Pasi ka kaluar një muaj nga aplikimi në këto platforma, ato janë aktivizuar dhe gjatë muajit gusht kanë filluar dhe i kanë ardhur prenotimet dhe pagesat nga shtetas të ndryshëm. Të gjitha këto prenotime dhe konfirmime pagesash M.B. ia ka dërguar më pas Blerina Gega dhe mikut të saj, shtetasit shqiptar.

I.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Egnatia pranë historisë, Edlir Tetova: Duam trofeun

Egnatia pranë historisë, Edlir Tetova: Duam trofeun