Në Këshillin e Bashkimit Evropian, 27 vendet anëtare të Unionit, kanë bërë përparim të mirë në bisedimet për Shqipërinë dhe janë afër arritjes së pozicionit të përbashkët për miratimin e IBAR, Raportin e Vlerësimit të Pikave të Ndërmjetme për progresin e deritanishëm të Shqipërisë, që do t'i hapte rrugë mbylljes së kapitujve në procesin e negociatave. Lajmi u konfirmua për Report Tv nga një burim brenda Këshillit, i cili nënvizon se pas përparimit në mbledhjen e fundit ka optimizëm se qëndrimi i përbashkët për grupkapitullin 1 të arrihet në ditët në vijim.
“Po, është arritur përparim i mirë në mbledhjen e fundit të COELA-s mbi draftin e ndërmjetëm të Pozicionit të Përbashkët të BE-së (EUCP) për grupkapitullin 1.
Ne kurrë nuk zbulojmë detaje të diskutimeve të tilla në organet përgatitore të Këshillit, përfshirë COELA-n, për shkak të natyrës së tyre rreptësisht konfidenciale. Siç u tha më sipër, është bërë përparim. Qëndrimet e shteteve anëtare janë afruar mbi tekstin, por ende nuk është arritur konsensus”, thotë Këshilli i Bashkimit Evropian.
Për Report Tv, Këshilli e evidenton faktin se periudha 2 mujore e deritanishme e diskutimeve është normale për çështje të tilla.
“Në të tilla raste të ngjashme kërkohen gjithmonë diskutime të gjata dhe të vështira. Nuk është e lehtë të arrihet dakordësi mes të 27 shteteve anëtare për një tekst të përbashkët, ndaj periudha prej dy muajsh duket krejt normale. COELA do t’i rikthehet kësaj çështjeje të martën e ardhshme, më datë 19 maj, dhe ekziston një optimizëm i kujdesshëm se një marrëveshje mund të arrihet relativisht shpejt në ditët në vijim”, përgjigjet për Report Tv Këshilli i Bashkimit Evropian.
Në fund të muajit shkurt Komisioni europian i dorëzoi vendeve anëtare raportin mbi ecurinë e Shqipëri në plotësimin e atyre që quhen piketat e ndërmjetme e që përfshijnë fusha delikate si sundimi i Ligjit e drejtësia. Për Komisionin europian vlerësimi ishte pozitiv. Deri më tani mes vendeve anëtare, të përfaqësuara në Grupin e punës për Zgjerimin, COELA, janë zhvilluar disa takime. Një proces i cili zgjoi në Shqipëri dilema dhe hamendësime, për ngecje apo deri dhe ngrirje.
Një lajm të mirë nga Brukseli e paralajmëroi edhe Kryeministri Rama vetëm një ditë më herët, në podcastin e tij “Flasim”. Kreu i qeveriës përsëriti se bllokimi i shumëpërfolur nuk ekziston, teksa u shpreh optimist që vendet anëtare do t'i japin "Ok" Shqipërisë mbi ato që tanimë do të jenë piketat përmbyllëse, objektivat që duhen arritur, për t’i dhënë fund negociatave.
Shqipëria hapi në një kohë rekord të gjithë grupkapitujt e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin europian. Miratimi i IBAR-it është pengesa e radhës për t’u kapërcyer, në mënyrë që procesi i negociatave të hyjë në fazën e mbylljes së grupkapitujve.
Komente









