Kryeministri Edi Rama paralajmëron se së shpejti Shqipëria do të marrë një lajm të ri të mirë lidhur me procesin e integrimit europian të vendit, duke nënkuptuar miratimin e raportit IBAR nga Brukseli.

Në podkastin e tij të përjavshëm "Flasim", kreu i qeverisë tha se u befasua nga bashkimi i opozitës me mazhorancën për votimin në Kuvend të rezolutës së lidhur me anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian.

Rama nuk kurseu as "thumbat" për opozitën, duke deklaruar se me pjesëmarrjen në votimin e rezolutës, opozita pranoi në mënyrë indirekte se nuk ka asnjë bllokim të negociatave me BE-në.

"Shënimi i fundit është për diçka të mirëseardhur në Kuvendin e Shqipërisë, ku befasisht, por e përsëris pozitivisht, forcat opozitare të Kuvendit të Shqipërisë u bashkuan me shumicën qeverisëse për një rezolutë të lidhur me anëtarësimin në Bashkimin Europian. Më vjen mirë realisht që ndodhi diçka e tillë. Do të ishte mirë të ndodhte vazhdimisht kur flasim për anëtarësimin në Bashkimin Europian, por edhe një herë e vetme, prapë se prapë, është një herë me vlerën e vet dhe më vjen mirë po ashtu që, me sa unë kuptoj, e kanë kuptuar që procesi është i pandalshëm, që bllokimi i shumëpërfolur nuk ekziston, që së shpejti do të vijë edhe lajmi i ri dhe i mirë, si të gjitha lajmet për hapjen e kapitujve, të kapërcimit në fazën tjetër të procesit dhe do të hapet edhe rruga për fillimin e mbylljes së kapitujve të negociatave. Kështu që bashkimi, sado i befasishëm dhe sado i ngutur në “varkën e Shqipërisë europiane”, ku ne jemi aty prej kohësh dhe ku vendin e kanë gjithmonë aty, është plotësisht i mirëseardhur",- tha Rama.

Shqipëria pret për të marrë një përgjigje nga Këshilli i Bashkimit Evropian mbi Raportin e Ndërmjetëm, që do ta kalonte në fazën tjetër procesin e negociatave.

Komisioni ka deklaruar se Raporti i Vlerësimit të pikave të ndërmjetme (IBAR) i hartuar prej tij, ka qenë pozitiv për Shqipërinë. Por vendet anëtare kanë ndërhyrë në draftin e sugjeruar për Pozicionin e Përbashkët të BE-së. KE e dorëzoi më 26 shkurt IBAR-in, miratimi i të cilit i hap rrugë procesit të mbylljes së kapitujve të negocimit.

Sa i përket rezolutës, ajo kërkon përshpejtimin e reformës zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE-ODIHR, mbështetje për institucionet e drejtësisë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si edhe garantimin e lirisë së medias.

Qeverisë i kërkohet raportim periodik për negociatat, përshpejtim i reformave në grupkapitullin e parë “Themeloret”, transparencë në prokurimet publike dhe përfshirje më e gjerë e opozitës dhe shoqërisë civile në vendimmarrje.

Miratimi i kësaj rezolute më 14 maj me 114 vota të mazhorancës dhe opozitës së bashku, vjen në një moment kyç për procesin e integrimit, teksa Shqipëria pret edhe vlerësimin për raportin IBAR, i konsideruar si një nga hapat përcaktues në ecurinë e negociatave me Brukselin.

Rezoluta u dakordësua pas negociatave dhe diskutimeve të një grupi pune me përfaqësi të barabartë, Erion Malaj dhe Romina Kuko nga PS si dhe Edmond Haxhinasto e Albana Vokshi nga PD, të ndihmuar dhe nga këshilltarë të grupit demokrat e staf të drejtorisë për Integrimin të vetë parlamentit.