Ekskluzive/ Vetingu i nxori nga dera, 27 gjyqtarë dhe prokurorë të shkarkuar rikthehen nga ‘dritarja’ si avokatë

Ekskluzive/ Vetingu i nxori nga dera, 27 gjyqtarë dhe prokurorë të shkarkuar rikthehen nga ‘dritarja’ si avokatë

Foto ilustruese

Vetingu i 800 gjyqtarëve dhe prokurorëve është konsideruar si kolona e rikthimit të besimit të publikut në sistemin e drejtësisë, përmes pastrimit të ‘pjesëve të kalbura’ në pallatin ku jepet drejtësi në Shqipëri. Si rrjedhojë, Vetingu u shndërrua natyrshëm në qendrën e gravitetit të pritshmërive rreth reformës në drejtësi, produkt i investimit më të madh të Perëndimit në Shqipëri, në përpjekje për ta kthyer në një vend normal. Dhe rezultatet e deritanishme të veprimit të ligjit të Vetingut kanë tejkaluar peshën e madhe të pritshmërive: 110 subjekte janë shkarkuar nga detyra për pasuri të pajustifikuara me burime të ligjshme të ardhurash, lidhjet me botën e krimit dhe për paaftësi profesionale. 111 subjekte janë konfirmuar në detyrë. 60 subjekte kanë dhënë dorëheqjen, duke e evituar përballjen me Vetingun. Ligjshmëria e vendimeve të organeve të Vetingut, sa i takon respektimit të të drejtave të njeriut, janë konfirmuar nga Gjykata Kushtetuese dhe së fundmi nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut. 

Dolën nga dera, po hyjnë nga dritarja

Krahas këtij realiteti pozitiv, ka edhe një prapaskenë, një tentativë konkrete për të hyrë nga dritarja, të atyre që Vetingu i nxori nga dera e drejtësisë. Disa gjyqtarë dhe prokurorë të niveleve të ndryshme, të larguar nga drejtësia me vendime të organeve të Vetingut ose që kanë dhënë dorëheqjen për t’i shpëtuar përballjes me Vetingun, po rikthen sërish në sallat e gjyqit, tashmë jo më si prokurorë dhe gjyqtarë, por si avokatë.

Bashkim Dedja ka mbajtur detyrën e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese deri në dhjetor të vitit 2018, kur u shkarkua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, shkalla e parë e Vetingut, si i papërshtatshëm për të vijuar dhënien e drejtësisë. Në 11 janar 2019, Dedja ka regjistruar hapjen e një zyre avokatie, për të mbrojtur çështje të ndryshme në të gjitha shkallët e gjykatave.

Në avokat është kthyer edhe ish-anëtari i Gjykatës së Lartë Artan Broci, i shkarkuar nga organet e Vetingut si papërshtatshëm për të shërbyer në sistem. Zyrë avokatie ka hapur edhe Shkëlzen Selimi, i shkarkuar si anëtar i Gjykatës së Lartë, për lidhje të papërshtatshme me krimin.

Rovena Gashi ka mbajtur detyrën e Prokurores dhe të drejtueses së Njësisë për Dekriminalizimin në Prokurorinë e Përgjithshme. Ajo u shkarkuar në 25 korrik të vitit 2018 nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, shkalla e parë e Vetingut, pasi bashkë me babanë e saj, nuk justifikonte një pasuri me vlerë rreth 900 mijë USD. Në maj të vitit 2019, shkarkimi i prokurores u konfirmuar nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, shkalla e dytë dhe e fundit e Vetingut. Kështu vendimi i shkarkimit mori formën e prerë. Disa javë pas shkarkimit, në datën 7 korrik 2019, Rovena Gashi ka regjistruar hapjen e një zyre avokatie.

Kur Kolegji i Apelimit e shkarkoi në shkurt të vitit 2019, Antoneta Sevdari ishte pjesë e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, njërës nga dy qeveritë e drejtësisë së re. Sevdari, e njohur si një prokurore me integritet të lartë, u shkarkua për disa pasaktësi modeste në pasuri. Vendimi për shkarkimin e saj prodhoi reagime. Sot Sevdari rezulton avokate.

Elsion Sadiku, Arben Nela, Dritan Rreshka, Ramadan Troci, Shpëtim Kurti, Artur Selmani, Fatmir Lushi, Adriatik Cama dhe Gentian Trenova, që të gjithë të shkarkuar nga Vetingu, sot figurojnë me zyra avokatie.

Nga kryegjyqtarë në avokatë

Agron Vavla mund të mbrojë çështje të ndryshme si avokat në Gjykatën e Beratit, të cilën e ka drejtuar deri kur shkarkuar me vendim të formës së prerë. Të njëjtën rrugë ka ndjekur edhe ish-kryetari i Gjykatës së Fierit, Roland Jaupaj, bashkë me ish-kryeprokurorin e Apelit Durrës, Ferdinand Elezin. Ish-kryetari i Gjykatës së Sarandës Alltun Çela, pas shkarkimit, është regjistruar gjithashtu si avokat.

Edhe ish-kryetari i Gjykatës së Shkodrës, Arben Zefi ka ndjekur të njëjtën rrugë, bashkë me ish-kryetarin e Gjykatës së Kurbinit, Alfred Gjoni, që të dy të shkarkuar nga Vetingu. Ish-kryetari i Gjykatës së Përmetit, Pashk Gjaci, ish-kryegjyqtari i Tropojës, Dritan Seci, ish-kryegjyqtari i Pukës, Izet Kadana, ish-kryegjyqtari i Apelit Tiranë Hysni Demiraj, ish-kryetarja e Gjykatës së Apelit Korçë, Entela Prifti, që të gjithë të shkarkuar nga Vetingu, sot ofrojnë shërbime avokatie.

Në avokatë janë shndërruar edhe Ervin Metalla, Ahmet Jangulli dhe Artan Lazaj pasi u shkarkuan si gjyqtarë.

Çfarë thotë ligji?

Në vitin 2018, Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin nr. 55 e për avokatinë. Misionet e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës kërkua me forcë që të ndaloheshin me ligj gjyqtarët dhe prokurorët e ‘djegur’ nga Vetingu, për t’u kthyer në gjykata, tashmë si avokatë.

Dhoma e Avokatisë u pozicionua kundër këtij propozimi. Komisioni i Ligjeve u përfshi për disa ditë në dilemë. Megjithatë, falë presionit në rritje të ndërkombëtarëve, në ligj u vendos që gjyqtarët dhe prokurorët e shkarkuar nga Vetingu të mos kishin të drejtë të ushtonin profesionin e avokatit.

Shkronja ‘a’ e pikës 2 të nenit 13 të ligjit, parashikon si kishte për të fituar titullin e avokatit: nuk është shkarkuar nga ushtrimi i detyrës ose funksionit publik, për arsye të integritetit etik, me vendim të organit kompetent, që ka marrë formë të prerë, me përjashtim të rasteve kur masa disiplinore është shuar sipas legjislacionit të posaçëm”.

Manovra e dorëheqjes

60 gjyqtarë dhe prokurorë, të pasigurtë nëse mund të kalonin procesin e Vetingut, dhanë dorëheqjen, duke evituar kështu një vendim shkarkimi. Ata më një ‘gurë vranë dy zogj’: I shpëtuan njollës ‘si të shkarkuar’, por tejkaluan edhe pengesën ligjore për t’u bërë avokatë. Dhe ashtu ndodhi.

‘Peshat e rënda’

Ish-gjyqtari i Apelit në Tiranë, Gjin Gjoni, dha dorëheqjen nga sistemi i drejtësisë në korrik të vitit 2020, ditën kur Komisioni i Vetingut vendosi të përfundonte hetimet për pasurinë e tij, duke i kaluar barrën e provës. Fillimisht tha se Vetingut ishte politik dhe i njëanshëm, ndërsa më vonë, përmes një kërkese drejtuar KLGJ-së, subjekti pretendoi se dha dorëheqjen pasi ishte propozuar si kandidat për deputet. Në 30 shtator 2020, KPK vendosi ndërprerjen e procesit të Vetingut për Gjin Gjonin dhe përjashtimin e tij për 15 vjet nga drejta për t’u bërë pjesë e drejtësisë.

Në 19 tetor 2020, Gjin Gjoni ka themeluar shoqërinë "G&G LAW FIRM", me objekt fushën e avokatisë, që do të thotë se do të shfaqet sërish në korridoret e drejtësisë, tashmë jo më si gjyqtar, por si avokat.

Në korrik të 2020, edhe gjyqtari tjetër i Apelit, Alaudin Malaj dha dorëheqjen nga detyra pas 27 vitesh karrierë në drejtësinë shqiptare. Procesi Vetingut për Alaudin Malaj kishte nisur që në muajin shtator të vitit 2018, duke zgjatur rreth 22 muaj. Ndërkaq, Malaj, katër muaj pas dorëheqjes, në 5 tetor 2020, ka themeluar “Malaj & Associates LaW Firm”, kompani për ofrimin e shërbimeve avokatore. Ndërkohë Malaj vijon të kundërshtojë në Kolegj vendimin e KPK-së për përjashtimin e tij me 15 vjet nga drejtësia.

Iu lutën që të mos largohej

Ish-anëtarja e Gjykatës së Lartë, Arjana Fullani, u largua nga sistemi në korrik të 2017. Ajo mund të qëndronte në detyrë pa afat deri kur të zëvendësohej. Pas dorëheqjes, i ofruan pozicionin e gjyqtares në Apel, ofertë që nuk e pranoi. Në 29 janar të 2018, zonja Fullani rezulton se është regjistruar si person fizik pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit për të filluar ushtrimin e veprimtarisë ekonomike private në profesionin e avokatit.

Bashkë me Arjana Fullanin, nga Gjykata e Lartë u Largua edhe Evelina Qirjako, ndonëse sipas ligjit mund të qëndronte në detyrë deri kur të zëvendësohej dhe më pas kishte të drejtë të punonte në Apel. Në 11 janar 2018, zonja Qirjako rezulton se është regjistruar si person fizik pranë QKB për ushtrimin e veprimtarisë “shërbime, konsulencë, ekspertizë ligjore, avokat”.

Edhe Mirela Fana u largua si anëtare e Gjykatës së Lartë, duke hapur më pas studion e avokatisë për përfaqësimin në gjykim në procesin civil, penal, administrativ, në çdo shkallë të gjyqësorit, brenda ose jashtë vendit.

I lodhur si prokuror, por jo si avokat

Ish-kryeprokurori i Tiranës, Petrit Fusha dha dorëheqjen nga drejtësia në shkurt të vitit 2019, pas një karriere 32-vjeçare në sistem, me motivacionin se ndihej i lodhur. Në prill të vitit 2019, Komisioni i Vetingut vendosi ta përjashtonte Fushën me 15 vjet nga drejtësi, ndërsa e kallëzoi penalisht nisur nga disa gjetje serioze gjatë hetimit të pasurisë së tij. Në 13 maj 2029, Fusha ka regjistruar në QKR kompaninë për ushtrimin e veprimtarisë së avokatisë, interpretime ligjore, hotel, bar, restorant, turizëm dentar, agjenci turistike etj.

Ikën si kryegjyqtare, bëhet avokate

Në tetor të 2019, ish-kryetarja e Gjykatës së Durrësit, Joana Qeleshi dha dorëheqjen nga drejtësia, pasi komisioni i Vetingut i kaloi barrën e provës për të justifikuar pasurinë. Si motivacion të dorëheqjes ajo u shpreh se do të punësohej në një spital privat. Qeleshi rezulton me studio avokatie.

Eneida Civici dha dorëheqjen nga detyra e gjyqtares në tetor 2019. Dy muaj më pas është regjistruar si avokate në Qendrën Kombëtare të Biznesit.

Gjyqtari i Beratit Kostika Çobanaqi qëndroi në drejtësi deri kur Komisioni i Vetingut i kaloi barrën e provës për të justifikuar pasurinë. KPK vendosi më 14 janar 2021 të ndërpresë procesin e rivlerësimit dhe t’i ndalojë emërimin në të ardhmen në sistemin e drejtësisë. Në 2 janar 2021, gjyqtari regjistron studion ligjore "ÇOBANAQI", për përfaqësimin e qytetarëve në gjyq për çështje të ndryshme.

Dha dorëheqjen nga drejtësia si gjyqtare edhe Regleta Panajoti, duke u regjistruar më pas në QKB si avokate, për përfaqësim në të gjitha gjykatat brenda dhe jashtë vendit. Në avokat është shndërruar edhe Ermir Beta, pasi dha dorëheqjen si prokuror në Berat.

La Gjykatën e Kushtetuese për t’u bërë avokat

Të qenit anëtar i Gjykatës Kushtetuese shënon kulmin e karrierës në sistemin e drejtësisë. Sokol Berberi dha dorëheqjen si anëtar i Gjykatës Kushtetuese në tetor të vitit 2016, pasi i mbaroi mandati, por që mund të qëndronte në detyrë deri kur të zëvendësohej, siç veproi kolegia e tij, Vitore Tusha, të cilët i ka mbaruar mandati prej 4 vitesh, por vijon të jetë anëtare, madje edhe kryetare e Gjykatës. Sokol Berberi regjistrua më pas si avokat.

U përjashtua nga sistemi, por mëson ata që do bëhen pjesë të sistemit

Shkolla e Magjistraturës prodhon gjyqtarët dhe prokurorët e rinj. Në vitin 2018, Henrik Ligori është emëruar në detyrën e pedagogut të brendshëm në Shkollën e Magjistraturës. Nga viti 2004 deri në vitin 2018, Ligori ishte prokuror. Pas kësaj lëvizje, Komisioni i Vetingut ndërpreu rivlerësimin për subjektin, duke e përjashtuar me 15 vjet nga sistemi. Ai sot është përjashtuar nga sistemi, por ndërkohë që mëson ata që do të bëhen pjesë e sistemit. Ligori është kthyer në drejtësi edhe si avokat.

M.Q./xy/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Në kërkim pas shpalljes non grata, Artan Grubi dyshohet se fshihet në Shqipëri! Dëshmia e biznesmenit: E dërgova me makinë deri në Tiranë

Në kërkim pas shpalljes non grata, Artan Grubi dyshohet se fshihet në Shqipëri! Dëshmia e biznesmenit: E dërgova me makinë deri në Tiranë