Ekskluzive/ Zbulohet letra e Beqir
Ballukut për Enver Hoxhën

Ekskluzive/ Zbulohet letra e Beqir<br />Ballukut për Enver Hoxhën
Shqiptarja.com sjell për herë të parë përmbajtjen e letrës së pazbuluar deri më tani që ish-anëtari i përjashtuar i PPSH-së dhe Zëvendëskryeministri i vendit i dërgonte shefit të tij partiak. Sot publikohet pjesa e parë dhe vijon numrin e ardhshëm.

Gjithçka duket se nisi me disa fërkime që Balluku kishte pasur me vartësin e vet, Petrit Dume dhe përfundoi me një ekzekutim të pamëshirshëm. U akuzua se ishte organizatori i grupit puçist në Ushtri dhe megjithë kërkesën për falje, Presidiumi i Kuvendit Popullor, nuk e mëshiroi.

Por prapa gjithë kësaj, jo zyrtarisht, qëndronte vetëm një emër: ai i Enver Hoxhës. Për rastin “Balluku” dhe purgën më të madhe në historinë moderne të Shqipërisë ndaj kastës udhëheqëse ushtarake të vendit, e cila përveç ekzekutimit të ish-Ministrit të Mbrojtjes ( njëkohësisht edhe zëvendëskryeministrit dhe anëtarit të Byrosë Politike të K.Q.PPSH), u kushtoi jetën edhe dy gjeneralëve, Petrit Dume e Hito Çako, si dhe u pagua me shumë vite burg, internime, degradime e vuajtje të shumë natyrave të tjera për shumë ish-ushtarakë të rangjeve të larta e më poshtë, është folur e shkruar shumë.

Kanë kaluar më shumë se 22 vite demokraci e 38 vite nga ekzekutimi i tyre, dhe shumëçka në Plenumin famëkeq të mesvitit 1974, aktiveve të Partisë e Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe gjyqit ndaj tij, janë bërë tashmë të njohura në detaje. Gjithashtu shpesh janë ftuar të dëshmojnë për mediat edhe protagonistë të atyre ngjarjeve, duke ia nisur që nga ish-kolegët e vartësit e Ballukut, e deri tek ish-anëtarë fare pa peshë të gjyqit ndaj tij, duke vazhduar me ish-hetuesit e tij etj.

Por megjithëse në pamje të parë, çështja “Balluku” duket plotësisht e zbardhur, duke futur këtu edhe detajet e minutave të fundit të jetës së tij e detaje të tjera, gjithashtu shumë të rëndësishme nga pikëpamja historike e dokumentare, akoma mbeten elementë të padalë në dritën e botimit, siç është edhe letra që ai i shkruante më 18 nëntor 1874, nga Roskoveci i Fierit, ku tashmë ishte internuar pas përjashtimit nga partia, në pritje të vendimeve që do të pasonin, vetë Enver Hoxhës.

Letra në fjalë përmban plot 46 faqe me shkrim dore e nënshkruar personalisht nga Beqir Balluku. Pas leximit nga Enver Hoxha, atë ka mundur ta lexojë e ta komentojë edhe Mehmet Shehu, i cili e kishte marrë atë në dorë nga Haxhi Kroi, sekretari personal i Hoxhës, me urdhër të këtij të fundit.

Gazeta “Shqiptarja.com”, e cila posedon kopjen origjinale të saj (marrë nga Arkiva Qendrore e Shtetit, shih: F. 14. /AP STR V.1974, D. 250, fl. 1-46 ), nis sot botimin ekskluziv, për herë të parë e të plotë të përmbajtjes së letrës në fjalë, duke vijuar në numrat në vijim gjatë kësaj jave.
Ajo do të jepet e paretushuar dhe e papërshtatur me normat letrare të shqipes së sotme, duke i mbetur besnik origjinalit, ashtu siç Beqir Balluku ka shkruar 39 vjet më parë.

Përmbajtja e saj trajton pozicionin e Beqir Ballukut në lidhje me akuzat e bëra ndaj tij nga Plenumi i 5-të i KQ PPSH e Byroja Politike e më vonë, në lidhje me të ashtuquajturat “tezat e zeza”, por gjithashtu përbën edhe një akt të mirëfilltë politiko-juridik, për të vlerësuar në tërësi jetën, mendimet, kontributet dhe synimet e Beqir Ballukut gjatë periudhës që ai ushtroi detyrat e rëndësishme partiake e shtetërore, që nga Lufta Nacionalçlirimtare e deri në çastin që shkroi këtë letër.

Gjithashtu prej saj do të mësojmë edhe se çfarë i kërkonte Beqir Balluku Enver Hoxhës dhe deri në ç’pikë ndjehej ai “fajtor”, duke u munduar të shjellojë historikun dhe pikënisjen e “tezave të zeza”. Po ashtu aty do të mësojmë edhe informacione e detaje të tjera që lidhen me këtë çështje e më gjerë. Më poshtë, pjesa e parë e letrës së Beqir Ballukut:

                                                                  * * *

KOMITETIT QENDROR TË PPSH
SHOKUT ENVER HOXHA


Po i drejtohem me këtë letër KQ mbas afro dy muajsh të përfundimit të shqyrtimit me objektivitet e durim ML të gabimeve e fajeve të mija në drejtim të zbatimit e mbrojtjes së vijës së Partisë në sektorin ku punoja.

E konsideroj të nevojshme që të theksoj qysh në fillim se shqyrtimi i çështjes sime në bazë të analizave ML në Byronë politike dhe Plenumin e KQ, si dhe masat e drejta që u muarën në raport me shkallën e gabimeve, fajeve dhe të qëndrimeve të mija ndaj tyre në atë kohë, janë masa të bazuara e të merituara nga ana ime.

Për të gjithë këtë punë të madhe, për të gjitha përpjekjet e bëra, të prira e frymëzuara nga partishmëria e lartë për të analizuar e shoshitur problemet me principialitetet ML, si dhe kujdes deri në fund për të shëruar dhe dhënë dorën shokut që bën gabime e faje, siç u bë në mënyrë të plotë në rastin tim, më angazhon dhe më ven përpara detyrës që të falenderoj nxehtësisht Byronë politike, Komitetin Qendror e shokun Enver, dhe njëkohësisht të kërkoj ndjesë për të gjitha telashet që i kam nxjerrë Partisë.

Unë e them sinqerisht tani që jam pushkatuar politikisht, që jam ndarë nga gjiri i dy gjërave më të shtrenjta të jetës sime, Partisë e popullit, të cilëve i kushtova me entuziazëm e vendosmëri energjitë e qenien time dhe që kam ëndërruar të eci në këtë rrugë fisnike deri në fundin e jetës, deri në varr, e them tani që jam veçuar nga familja, të cilën e krijova në epokën e partisë dhe që kam ëndërruar që ajo të jetë pa njolla e ballëlart më gjirin e shoqërisë tonë socialiste; se si në analizën e Byrosë politike të aktivit dhe të plenumit të KQ mosnjohja dhe pohimi i gabimeve e fajeve të mia, nuk ka ndodhur sepse unë kam menduar se kjo është rruga e metoda më e mirë për tu mbrojtur, ose nga frika e masave, por për faktin se me gjithë kjartësinë dhe argumentimin ML të analizave, ndërgjegjia e ime e sëmurë nuk më ka lënë të shof shkaqet dhe rrethanat e qënies time në opozicjon me vijën ushtarake të partisë, të punës armiqësore me qëllim që kam synuar në çarjen e unitetit në Byro mes shokut Enver e Mehmet, që kam punuar për hartimin e një platforme të re tezash, të gjitha këto tek unë kanë rënë si nji bombë dhe në kohën e parë kam krijuar nji turbullirë të madhe psikologjike.

Pas mbledhjes së Byrosë në këtë gjendje unë kam vajtur në aktiv pas 14 ditësh i bindur thellësisht se gabimet e   fajet e mia, kuadrot do ti dënojnë rreptësisht sepse ato janë të Partisë e jo të kllasave, dhe nuk kam shpresuar absolutisht as mbrojtjen më të vogël nga ndonjë shok, duke qenë në këtë gjendje, unë qëllimisht në këtë mbledhje të kuadrove kryesore të ushtrisë për një problem të tillë delikat nuk kam shprehur rezervat që kisha në kokë, por premtova se do të flas në plenum.

Pra unë gjatë gjithë analizave kam qenë i gozhduar nga mendimi subjektiv se kam ndërmarrë përpunimin e nji teme bazuar në konkluzionet e plenumit të 12 të KQ për zbërthimin e pasurimin e tezave, unë në autokritikën time të cekët në byro, kam pranuar se frymëzuesi i këtyre materjaleve kam qenë unë si dhe gabimet që thelloheshin në analizë, ndërsa për qenien time në opozicjon me vijën, të punës armiqësore, të synimit të çarjes së unitetit në bazë, unë i përmbahesha mendimit se veti e cilësi të tilla, kurrë nuk kanë qenë në karakterin tim, gjatë gjithë jetës time në parti, pra ato nuk mund të jenë edhe sot, nga këto koncepte borgjezo-revizioniste kam qenë i përshkuar nga fillimi i analizimit dhe deri në përfundimin e vajtjes time në plenum.

Kjo gjendje e turbullt ideologjike më ka çuar të qëndroj me kokëfortësi para analizave ML dhe bile pyetjeve të shokëve që ishin një ndihmë për mua, t’i përgjigjem çfarë të them, të pohoj ato që thoni ju.

Si për gabimet e fajet e mia dhe veçanërisht për qëndrimet negative ndaj tyre, unë kam qenë i ndërgjegjshëm se masat ndëshkimore do të ishin të rënda ndaj meje.

Tani që jeta ime si revolucionar e militant është këputur e shuar në mënyrë tragjike ekskluzivisht për fajin tim, me qëllim që të lehtësoj ndërgjegjen time dhe të mbaj edhe në këtë gjendje siç jam, jashtë radhëve të partisë, të pashuar zjarrin e patriotizmit ndaj kauzës së partisë e popullit, që me gjithë gabimet e fajet e rënda që kam bërë edhe në këtë pjesë të vogël të jetës që më ka mbetur nuk do ta rreshtoj kurrë veten kundër tyre, por do ti përmbahem me thoj e dhëmbë asaj pjese të mirë të jetës sime kaluar në shërbim të popullit e partisë, dhe do të dënoj e hedh poshtë me neveri e urrejtje pjesën e keqe të saj.

Meqenëse gabimet e fajet e mia janë të lidhura me disa probleme të rëndësishme e parimore të artit ushtarak popullor, në fillim dua të vej në dukje se pas çlirimit të vendit, nën udhëheqjen e partisë e shokut Enver, me prioritet ndaj të gjithë sektorëve të tjerë shtetërorë, u fillua nga puna për tranformimin e modernizimin e ushtrisë tonë nga ushtri partizane në ushtri të rregullt, detyra e së cilës në momentin e dhënë historik, nuk ishte çlirimi i vendit, por mbrojtja e fitoreve të revolucionit dhe pushtetit popullor në fuqi kundër agresorit me luftë të rregullt frontale.

Për zbatimin e kësaj detyre partia pregatiti kuadrot, siguroi bazën materjale, dhe në raport me kontigjentet njerëzore dhe pajisjen e tyre hartoi strategjinë e pllanet e mbrojtjes, të cilët nga periudha në periudhë janë zhvilluar e përsosur deri në ditët tona. Në tërë këtë periudhë, nën udhëheqjen e partisë edhe unë bashkë me shokët me të meta e dobësi kam dhënë kontributin tim të thjeshtë.

Është me vend të nënvizoj se rregulloret tona para daljes së tezave të kshillit të mbrojtjes, për luftën me front e prapavijë e përjashtonin dhe nuk e trajtonin fare tërheqjen edhe me urdhër si fenomen në luftim, si në fushën taktike, ashtu dhe atë operative, ndërsa për operacion të kalimit në prapavijat e armikut, kur lufta në front ish e pamundur, as bëhej fjalë fare.

Në vitin 1966 me porosi e udhëzimet e mija ësht përpunuar nji materjal prej 25 faqesh që është quajtur teoria e rrëshqitjes, i cili u hodh poshtë nga konsulta, pra duke u larguar nga rregullat që at kohë ishin përkthimi i rregullave sovjetike, un bie në gabime në trajtimin e problemeve ushtarake.

Ky fakt flet për cektësinë e trajtimit e të lidhjes së këtyre problemeve me kushtet e specifikën e vendit e të ushtrisë sonë. Ky materjal sot dhe në të ardhmen, me shkallën e zhvillimit të ushtrisë e mendimit ushtarak, nuk ka asnjë vlerë për përdorim, ky material bashkë me një maket të vjetër të shjellimit të tezave, sipas skemës së kshillit të mbrojtjes, përpunuar nga një grup pune në atë kohë, kishin mbetur në kasafortën time në shtëpi, në mes të materjaleve të vjetra të komisionit të planit etj., të cilat ia dorëzova shokut Hito.

Dalja e tezave të kshillit të mbrojtjes në vitin 1967 është një ngjarje e shënuar, sepse ato janë një armë e fuqishme në dorë të ushtrisë, ato janë marshimi i vijës ushatrake të partisë e të shokut Enver si gjatë luftës në NÇL, ashtu dhe të periudhës së pas çlirimit.

Trajtimi me një frymë të lartë ML i problemeve politiko-ushtarake, përcaktimi i faktorëve që do të veprojnë përkohësisht në anën e armikut, dhe vazhdimisht në anën tonë, si dhe përcaktimi i formave të luftimit e operacionit që përmblidhet në ndërtimin e aktivizimin fillimisht të mbrojtjes strategjike-pozicionale-aktive dhe në të pastajmen të kalimit kundërmësymje e mësymje për asgjesimin e armikut, janë jo vetëm parime bindëse se një vend i vogël si vendi ynë duhet të përballojë e thyejë agresorin ose kualicionin e agresorëve, por e vetmja formë e sigurt për mbrojtjen e vendit në kushtet tona.

                                                                        * * * 

KUSH ISHTE?

BEQIR BALLUKU, NGA “HERO I POPULLIT” NË “TRADHËTAR I ATDHEUT”


Ish-ministri shqiptar i Mbrojtjes, Beqir Balluku lindi më 14 shkurt 1917 në Tiranë. Pasi kreu studimet në Shkollën Teknike të Tiranës, u përfshi shpejt në lëvizjen komuniste duke rënë në sy qysh në hapat e parë parë si drejtues i guximshëm në rajonin e Tiranës. Në vitin 1943, u caktua komandant i batalionit partizan “Krujë-Ishëm”.

Në vitin 1943, u emërua komisar i Brigadës së Tretë dhe më pas komandant i Brigadës së Dytë. Pas çlirimit u emërua shef i Shtatmadhorisë së Ushtrisë Popullore. Më pas kreu në Moskë Akademinë e famshme Ushtarake “Voroshillov”. Në Kongresin e parë të PKSh zgjidhet anëtar i Byrosë Politike, kurse në vitin 1952 Ministër i Mbrojtjes Popullore. Beiqr Balluku ishte gjithashtu zëvendëskryetar i Këshillit të Ministrave.

Mori gradën më të lartë në Ushtrinë shqiptare, atë të gjeneral-lejtnantit. Balluku ishte deputet i Kuvendit Popullor dhe “Hero i Popullit”, ndërsa në vitin 1974 u akuzua si ideator dhe organizator i veprimtarisë puçiste në Ushtri sëbashku me dy gjeneralët e tjerë: Petrit Dume dhe Hito Çako. U dënua me vdekje dhe u pushkatua më 5 nëntor 1975 për “tradhëti të lartë ndaj atdheut”.

(Foto: Beqir Balluku ne Pekin në vitin 1972)
(vijon në numrin e ardhshëm)

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 19.03.2013

Redaksi Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Festa e Pavarësisë, BE në Tiranë: 112-vjetori e gjen Shqipërinë me hapjen e negociatave për Grupkapitullin e parë

Festa e Pavarësisë, BE në Tiranë: 112-vjetori e gjen Shqipërinë me hapjen e negociatave për Grupkapitullin e parë