Ekskluzive/ Ministrja Elva Margariti në një rrëfim për teatrin, bibliotekën dhe sfidat e kulturës

E renditur e fundit edhe këtë vit në ndarjen e buxheteve, me 2,1 miliardë, ajo që lë pak vend për diskutim është se ministren e Kulturës e presin kohëra, që mbartin përgjegjësi të mëdha. Ligje ku ndihet nevoja për rishikim, si ai i statusit të artistit apo godina të lëna në mëshirë të fatit për vite me radhë, që kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme. E shumë të tjera problematika që ministrja e re e Kulturës, Elva Margariti, i shikon sot si një sfidë, ku energjitë e reja dhe ndryshimet do të ndikojnë, sipas saj, pozitivisht. E formuar në arkitekturë dhe me lidhje të ngushta me artin e kulturën, ashtu si në profesion ajo kërkon që, edhe në detyrën e saj të re në qendër të jetë njeriu. Në shërbim të tij duhet të jenë, sipas Margaritit, edhe investimet e reja, duke ecur në hap me kohën e njëherazi t’i rezistojnë asaj, përtej fasadave momentale. Një diskutim që përfshin Teatrin Kombëtar atë të Kukullave, Bibliotekën edhe Muzeun Historik, ku ajo çka edhe ministrja pohon është fakti se përpjekjet e bëra ndër vite, nuk kanë qenë të mjaftueshme. Ka preferuar gjatë këtyre muajve të shmangë jehonat mediatike, prandaj në këtë rrëfim ekskluziv për “Report Tv”, Elva Margariti, flet për prioritetet dhe sfidat, që ka si ministre e Kulturës.

 

Zonja Margariti, prej tre muajsh jeni ministre e Kulturës, një detyrë që kërkon shumë angazhim. Si po e përballoni të gjithë këtë?

Është një detyrë, një përgjegjësi, një sfidë, një kalim stafete, por është mbi të gjitha edhe pasion, është edhe dëshirë edhe njohje me njerëz me dëshira edhe energji të reja. Si çdo punë e re po mundohem që pikë së pari të fokusohem tek energjitë pozitive. Ndryshimi sjell gjithmonë ndryshim të energjisë, është një ndryshim i vogël, por koha do të tregojë të vetën, që do ketë gjithmonë edhe më shumë energji pozitive, që do të shtohen.

Në profesion jeni arkitekte. Detyra si ministre kulture, si ka ndikuar në profesionin tuaj? A ndihmon për të gjykuar çështje të caktuara, që kanë lidhje me arkitekturën?

Botëformimi i një arkitekti lind jo vetëm nga studimi i arkitekturës, por fillon nga studimi i njeriut, e më pas nga studimi i ambientit, të nevojave, edhe e gjitha duhet që të përkthehet në komfort, e gjitha duhet të përkthehet në komfort, e gjitha duhet të ketë një sens estetik, është si një lloj melodie, që t’i lidhë të gjitha gjërat bashkë. Edhe të studiuarit arkitekturë edhe të qenit arkitekte gjithmonë më ka sjellë këtë këndvështrimin e 36 gradë të çdo gjëje. Nuk ka vetëm linja, nuk ka vetëm vëllime, nuk ka vetëm të bërit arkitekturë që është e kohës apo që pëlqehet, por që fillon e gjitha nga njeri. Kjo ka qenë shtysa kryesore, që më ka bërë të çojë përpara çdo punë. Kultura edhe arti, të bëjnë të ndihesh mirë, lidhen shumë mirë edhe me botëkuptimin tim.

Nga të gjitha ministritë, ajo e kulturës ka buxhetin më të ultë, si pasojë jo të gjitha institucionet e kulturës, në një farë mënyre duhet të prodhojnë art duke kursyer, pra duke shfrytëzuar buxhete minimale. Mendoni se kjo ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë tek produkti?

Është një sfidë shumë e madhe, prandaj them edhe e kam vënë re se sado që mbështetja ekonomike mund të jetë e vogël, por gumëzhijnë korridoret nga energjitë pozitive, nga njerëz që edhe me pak arrijë të bëjnë shumë. Kemi edhe mbështetjen e partnerëve të huaj, që gjithmonë edhe më tepër duhet ta shikojmë si një urë bashkëpunimi. Kemi shumë për të treguar me kulturën tonë, nuk është vetëm një aspak ekonomik. E gjitha nuk mund që të lindë nga mbështetja ekonomike, duhet që të lindë nga pasioni, nga mënyra për të qëndruar bashkë, që të rrisim më të mirën edhe me pak. Kjo është bërë e mundur edhe këto vite edhe do të vazhdojë e tillë, edhe gjithmonë duke i dhënë fokus, do të krijojë akoma edhe hapësira më të mëdha ekonomike. Jam e bindur!

Në lidhje me çështjen e Teatrit Kombëtar, që mbetet ende një çështje e hapur, jeni shprehur se “restaurimi i godinës nuk do të bënte që të kishim një teatër me kushte bashkëkohore, për shkak se duhet që t’i përmbaheshim një strukture të vjetër”. Si arkitekte çfarë do të propozonit personalisht?

Nuk është një aspekt i arkitekturës, se të flasësh vetëm për arkitekturën e teatrit është që ta minimizosh shumë. Përsa është folur për restaurimin e kam thënë edhe vazhdoj që ta them se janë dy filozofi, që ndjekë shkolla e restaurimit, që është ajo e restaurimeve të vëllimeve, apo e restaurimit konservativ të vlerës së vërtetë të një godine. Edhe në rastin konkret  të teatrit tonë, vlera e shtuar e atij teatri kanë qenë materialet e përdorura në ndërtimin e tij, edhe deri diku fakti që nuk pritej që t’i rezistonin kohës deri tani, jo se i kanë mirërezistuar, por mund që të ishin degraduar shumë kohë më parë. Kjo është ajo çfarë mendoj unë, si arkitekte. Të mirëkuptosh se çfarë do të thotë fjala restaurim. Nëse do të restauronim thjesht vëllimin, nuk i kemi dhënë asnjë gjë, asnjë vlerë të shtuar atij teatri. Nëse do të ndryshojmë materialin ne do të bëjmë atë, që në shkollë e quanim falso historico. Pra le të hapim një polemikë edhe të themi: “Duam që të bëjmë diçka fals apo diçka reale?”.

Por nga ana tjetër një diskutim është hapur edhe për institucionet e tjera, Teatrin e Kukullave, Bibliotekën dhe Muzeu Historik, gjendja e të cilave nuk është e mirë. Sa jeni njohur me gjendjen e këtyre institucioneve edhe çfarë mendoni që të bëni?

Janë pjesë që kanë shumë nevojë për mbështetjeje, është bërë përpjekje në këto vite, por asnjëherë nuk kanë qenë tw mjaftueshme, edhe këtë e tregon situata në të cilën ndodhen. Kjo nuk do të thotë se nuk janë në fokus dhe nuk po punojmë për të. Sa i përket Bibliotekës Kombëtare është një nga prioritet e mia. Hapa po bëhen. Por nuk mund të bëjmë mediatike çdo takim, që kemi bërë me çdo profesionist mbi hartimin e të gjitha projekteve, që kemi kryer deri më tani për një bibliotekë, që mund t’i rezistojë kohës. Jemi shtyrë shumë më larg nga sa është nevoja. Shpresoj që shumë shpejt  të shihni hapat e parë më të konkretizuar, siç ju i konsideroni të konkretizuar, por që ne po punojmë përditë.

Ministria e Kulturës, qysh kur në krye ka qenë zonja Mirela Kumbaro nisi disa fushata për të favorizuar leximin, kundër qëllimit të këtyre fushatave del taksimi me 6 për qind shtesë, në shitje për librin. Lexuesit edhe librarët, që më herët me çmimet që  librat kishin i quanin të larta. Si mendoni ju se do të ndikojë kjo nisëm në të ardhmen?

Është e vërtetë. Është një proces që ka filluar edhe përfunduar përpara se unë të merrja këtë detyrë, për të cilin vazhdoj të informohem, duke qenw në krye të takimeve e diskutimeve edhe me kolegët e mi të ministrive të tjera, që janë të përfshira nw këtë proces. Nuk e kam përgjigjen e art, por mendoj se ka akoma vend që të krijohen hapësira, që të krijohen hapësirat e përshtatshme edhe të volitshme, për të gjithë ata që e duan librin edhe duan që ta çojnë përpara.

Një tjetër çështje me rëndësi, për të cilën artistët kanë vite të tërë që ankohen është edhe statusi i artistit. Një artist sot në Shqipëri trajtohet si nëpunës administrate, ndryshe nga si ndodh në vende të tjera. Mendoni se në këtë drejtime do të këtë ndonjë iniciativë për të ndryshuar ligjin?

Besoj se këto janë pyetje, që nuk e di prej sa vitesh keni që i shtroni, si dashamirës të artit edhe të artistëve. Edhe normalisht që unë nuk mundet që t’u kthej përgjigjen e saktë, se do të kisha qenë një gjeni i administratës edhe mirëqeverisjes, nëse në tre muaj do të kisha përgjigje për çdo çështje që mbartet prej vitesh. Por, normal që prek sensibilitetin tim edhe është një nga çështjet që e ndjek edhe do ta ndjek. Edhe pse jo, ndoshta do të jetë momenti i duhur që të fillojë edhe të konkretizohet më mirë. 

Ndërsa, shpeshherë artistët ankohen edhe për mosmbështetjen sa duhet të projekteve kulturore. Kësaj here, disa nga kompozitorët më në zë, e konsideruan të paarsyeshme, se në projektet që MK mbështeti vetëm 1 për qind e tyre ishin për muzikën serioze. Si është bërë përzgjedhja e projekteve?

Për ndarjen sa më eko të të gjitha fushave, krahasuar me vitin e shkuar kam mbështetur shumë libri.  Kjo ka qenë në fokusin tim, sikundër ka qenë edhe një mbështetje, që i është bërë trashëgimisë jomatëriale, një tjetër prioritet, që po ecim ne hapa konkret. Ajo që ka qenë kriter përzgjedhës, një fije e kuqe, që i ka lidhur të gjitha projektet me njëri-tjetrin, përtej pakënaqësive, sepse nuk do të ketë asnjëherë një konkurs, ku dalin të gjithë të kënaqur, është edhe fakti i mbështetjeve të artistëve të rinj. Unë besoj shumë tek fakti, që në të gjithë botën artistët e rinj mbështeten që në hapat e parë, ndërsa ne presim që t’i njohim si artistë të kualifikuar. Unë besoj se ata artistë që janë mbështetur edhe rimbështetur për shumë vite kanë krijuar mundësinë edhe ekonomike, por edhe një lloj pasaporte diplomatike, për t’i krijuar vetes një terren akoma më të përshtatshëm për të ecur me projektet e tyre. Fakti që MK i ka mbështetur më pak apo që nuk i mbështet pas 10 vitesh me një kontribut ekonomik, nuk do të thotë, se nuk i vlerëson. Përkundrazi mendon si në një familje të madhe, që kur fëmija arrin moshën madhore, ta lërë që të ecë vet. Debate do të ketë gjithmonë, por unë shpresoj, që edhe ata që janë të pakënaqur të hedhin sytë tek ata të rinj, që ne po mbështesim sot. Edhe të krijojnë ura të mira komunikimi me ta, për të krijuar gjëra të tjera të bukura, që ne nuk i kishim parashikuar sot.

Dhe së fundmi, çdo të enjte në vendin tonë zhvillohen protesta. Por si ndikon kjo situatë në punën tuaj të përditshme?

Po e lidh këtë me temën, që Driant Zeneli do të prezantojë në Bienalen e Venecias. Tematika midis utopisë dhe ëndrrës është tematika kryesore e këtij pavijoni, që unë mendoj se zë vend për të folur edhe për protestat e tanishme. Ka një qasje midis reales edhe joreales. Ka ndonjëherë atë qasjen që nuk kuptojmë se çfarë po ndodh vërtet në ekran, edhe çfarë po ndodh në jetën e përditshme. Jetojmë në disa dimensione, që gjithkush nga ne i interpreton edhe sipas bindjeve të tij. Protestat janë pjesë e jetës humane edhe është mirë që të jenë gjithmonë, edhe që të krijojnë sa më tepër shtysë për të bërë gjëra të mira. Mendoj se gjithsekush duhet që ta shikojë protestën me sytë e tij.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

2-vjeçari me tumor s’nis kimioterapinë pasi QSUT s'ka ilaçin, Agjencia e Barnave për Report Tv: ‘Actinomycin D’ mungon në treg prej 2006, duhet ta sigurojë Ministria e Shëndetësisë

2-vjeçari me tumor s’nis kimioterapinë pasi QSUT s'ka ilaçin, Agjencia e Barnave për Report Tv: ‘Actinomycin D’ mungon në treg prej 2006, duhet ta sigurojë Ministria e Shëndetësisë