VLORE - Fshatrat Tragjas dhe Dukat në Vlorë janë ndër më të prekurit nga vala e fundit e eksodit, teksa shumë prej të rinjve kanë braktisur vendin dhe janë nisur drejt Gjermanisë me shpresën se do përfitojnë azil ekonomik. 

Pamjet e fokusuara nga kamera e A1Report në fshatin Tragjas, nuk kanë nevojë për shumë koment pasi rrugët e boshatisura, tokat e papunuara dhe të moshuarit që enden rrugëve japin një tablo të qartë të situatës. 

Deri më tani askush nuk ka fituar azil ekonomik, për sërish banorët refuzojnë të kthehen, përveç të riut Memet Dano, i cili e gjeti guximin të rikthehej në fshatin e tij, pasi e kuptoi se ishte e pamundur të përfitohej azili.

Dano sqaron se në Gjermani ka shkuar përmes Italisë, ndërsa rrëfen për A1 Report se u njoftua nga miqtë dhe shokët punën e azilit, por ajo më të cilën u përball atje nuk ishte aspak ajo çka priste. Dano shton se është në kontakte të përditshme me shumë shokë të tij, të cilët gjithashtu po kërkojnë të kthehen.

Kastriot Brataj, kryeplaku i fshatit Tragjas pohon për A1Report se vështirësitë financiare janë ato që detyruan banorët të marrin rrugën drejt Perëndimit. 

E njëjta tablo është edhe në fshatin Dukat, teksa shumë të rinj përballë vështirësive ekonomike kanë zgjedhur rrugën e eksodit.

Familja e Engjellueshe Celajt ekonominë e saj e kishte bazuar tek një market i vogël, por prej ditësh ata të cilët vijnë të blejnë janë gjithnjë e me të paktë.

Duke marrë shkas nga kjo situatë djali i saj vendosi të marrë rrugën e emigrimit drejt Gjermanisë.

Mësohet se nga fshati Dukat janë rreth 150 familje që në harkun kohor të 6 muajve janë larguar drejt vendeve të perëndimit me idenë se do përfitojnë azil ekonomik

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)