I pyetur rreth çështjes së emigrantëve ilegalë që kanë mësyer vendet e Bashkimit Evropian, zëvendëskryeministri Thaçi tha se shumë qytetarë nga vendet e Ballkanit po kërkojnë mundësi më të mira në shtetet e BE-së.
Thaçi theksoi se Kosova pati një numër më të vogël të emigrantëve sesa Serbia apo Shqipëria në 2014-tën, por në fillim të këtij viti pati një valë të pashembullt mashtrimesh se Gjermania u jepte leje pune emigrantëve Kosovarë. Më tej Thaçi është shprehur se fenomeni i emigrimit është një sfidë, por numri i tyre ka filluar të bie.
“Pamjet e kosovarëve duke braktisur Kosovën janë trishtuese, por ne do të punojmë së bashku me Gjermaninë dhe partnerët e tjerë për të siguruar që ky fluks i papritur të ndalet. Shpresojmë se Gjermania mund të fillojë t’i riatdhesojë qytetarët tanë në mënyrë që të tjerët të shohin se vendin e kanë në Kosovë.”
Zëvendëskryeministri Thaçi përsëriti se njerëzit presin një jetë më të mirë dhe mundësi punësimi. Kosovarët janë në një pozitë të veçantë duke marrë parasysh se çereku i popullsisë kosovare jeton në BE në mënyrë të ligjshme. Në përfundim Thaçi sqaron se tranzicioni ekonomik dhe papunësia nuk mund të zgjidhen përmes emigrimit ilegal në Gjermani apo në vendet e tjera të BE-së.
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)