Ekspertët e Europa Nostra-s
dy ditë në Durrës për Amfiteatrin

Ekspertët e Europa Nostra-s<br />dy ditë në Durrës për Amfiteatrin
TIRANE- Amfiteatri i Durrësit, i shpallur  në listën e 7 monumenteve më të rrezikuara në Europë nga  komiteti i “Europa Nostra-s do të  instektohet për dy ditë nga specialistë të kësaj organizate.   Sot dhe nesër  një grup ekspertësh të trashëgimisë kulturore nga 'Europa Nostra' dhe përfaqësues të Bankës së Këshillit të Europës për Zhvillim, do të jenë në Durrës për të parë nga afër se si mund të zbatohet projekti i diskutuar dhe i miratuar në muajin maj për këtë monument të rëndësishëm të trashëgiomisë kulturore shqiptare. Përveç takimeve me ministren e Kulturës, kryetarin e bashkisë së Durrësit dhe drejtuesit e institucioneve përgjegjëse, në axhendë janë parashikuar diskutime me grupe ekspertësh për të parë gjendjen dhe mundësitë reale për investim në Amfiteatrin e Durrësit. 

Raporti i grupit të ekspertëve europianë është mjaft i rëndësishëm për të ardhmen e këtij monumenti, ndërsa vendimi përfundimtar për të mbështetur financiarisht ndërhyrjet në Amfiteatrin e Durrësit do të merret në 5 dhjetor të këtij viti në Konferencën Europiane për Politikën e Trashëgimisë, që do të mbahet në Bruksel. Aplikimi për ta përfshirë Amfiteatrin e Durrësit në listën e monumenteve të rrezikuara të Europës u krye nga Shoqata për Zhvillimin e Turizmit Kulturor në muajin mars të këtij viti dhe u mbështet nga Ministria e Turizmit Kulturës Rinisë dhe Sporteve.

Në listën e 7 të rrezikuarve
Përzgjedhja e këtij monumenti u bë duke marrë në konsideratë nevojën emergjente për konservim, ruajtje dhe gërmime të mëtejshme për zbulimin e plotë të këtij objekti me vlera unikale historike, arkitekturore dhe kulturore, si dhe rolin e tij në zhvillimin e turizmit kulturor në qytetin e Durrësit, por dhe të turizmit shqiptar. Programi “7 Më të Rrezikuarit” u lançua në janar 2013 si një formë  ndërgjegjësimi publik, duke inkurajuar anëtarët e Europa Nostra të aplikojnë për objekte/monumente përfaqësuese të trashëgimisë kulturore nga vendet përkatëse, që kanë nevojë për më shumë vëmendje, konservim, ndërhyrje restauruese, si dhe mundësi rijetësimi në funksion të zhvillimit të turizmit kulturor.

Ndërsa amfiteatri i Durrësit është i pari në listën e ‘7 më të rrezikuarve’ e dyta  në listë  është shpallur Qendra Historike e Nikosias në Qipro. Më tej në vend të tretë renditen Fortifikimet e shekullit të 17-të Vauban në Briançon në Francë, dhe vijohet me Manastirin e periudhës së rilindjes në San Benedeto Po (lokalitet në Itali), Manastiri i shekullit të 15-të në Setúbal në Portugali, Peizazhi i Rosia Montana, minierë në Rumani dhe Kisha armene e Shën Gjergjit në qytetin turk Mardin.
 
Amfiteatri
Amfiteatri i Durrësit, pothuajse i panjohur deri në vitet’60, kur edhe u zbulua (në vitin 1966) nga Vangjel Toçi, ka vlera të veçanta arkitekturore dhe artistike dhe mund të krahasohet me monumentet e kësaj periudhe të Pompeit dhe Kapuas në Itali. Amfiteatri ka trajtë elipsi me diametër 136 metra dhe lartësi rreth 20 m. Shkallarja për shikuesit e veshur me pllaka të bardha merrte 15-20.000 veta, ndërsa në arenë zhvilloheshin luftimet e gladiatorëve. Amfiteatri 2700-vjeçar qëndron mes 30 amfiteatrove të zbuluar të botës antike nga Roma deri në Budapest dhe Lion. Për shkak të zbulimit të tij të vonuar, monumenti ka duruar planifikimin kaotik urban dhe dëmtimet e shumta vit pas viti. Sipas vlerësimit të komitetit të Europa Nostra-s kjo perlë e trashëgimisë është e kërcënuar nga mungesa e burimeve financiare, neglizhenca e institucioneve shtetërore dhe shkaqe të tjera natyrore.
 
 
Pse u përzgjodhën këto 7 monumente
 
Në Kongresin e mbajtur në Athinë në maj të këtij viti  presidenti i Europa Nostra-s Plaçido Domingo tha se “këto monumente dhe site arkeologjike janë përzgjedhur, jo vetëm sepse ata tregojnë një histori interesante në lidhje me të kaluarën tonë të përbashkët, ankorimin e një ndjenje të përkatësisë në familjen evropiane, por edhe për shkak se ata janë shumë të vlefshme për komunitetet lokale, të cilët janë të angazhuar fuqimisht në shpëtimin e tyre.” Sipas domingos shpëtimi i këtyre pasurive do të veprojë si një katalizator për ringjalljen ekonomike dhe shoqërore të qyteteve apo zonave të tëra.

Shkrimi u publikua sot (08.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024