TIRANE- “Artan Didi, kreu aktual i Policisë së Shtetit nuk ka qëlluar me armë zjari mëngjesin e 29 majit 1999, dhe për pasojë as nuk është marrë në pyetje. Shkak i shmangies së emrit të tij në hetime është bërë pasi gjatë analizimit të çështjes është konstatuar se veprimet e Didit nuk kanë sjellë asnjë dëmtim. Nga analizimi i faktorëve plotësues të barutit, ka rezultues se Didi nuk ka qëlluar në ngjarjen e 1999”.Kështu janë shprehur prokurorët që në atë periudhë kanë kryer veprimet hetimore lidhur me vrasjen e shtetasit grek Jorgos Kuluris.

Ngjarja në dokumentacionin e akuzës, është treguar tepër e thatë dhe pa një analizë të vendosjes taktike dhe teknike të oficerëve të policisë dhe specialëve të RENEA-s, në momentin kur kanë vendosur të ndërhyjnë në autobuzin e marrë peng. Hetimi në atë periudhë është përqëndruar vetëm në disa efektivë policie, por asnjëherë mbi kreun aktual të Policisë së Shtetit, Artan Didi. Kjo pasi ndaj këtij të fundit nuk ka pasur asnjë provë.

 “RENEA s’komentohet”
Lidhur me ngjarjen e vitit 1999, ku në vendin e quajtur “Ura 13 Petresh” ku mbetën të vrarë pengmarrësi i autobuzit Flamur Pisli dhe pengu grek Jorgos Kuluris, gazeta “Shqiptarja.com” ka mundur të komunikojë me telefon me drejtorin e policisë Artan Didi, i cili nga Polonia, ku ndodhet për një vizitë zyrtare, ka pohuar se veprimet e RENEA kanë qënë si në çdo aksion shumë të sakta dhe kanë sjellë zgjidhjen e situatave të vështira. “Unë s’mund të komentoj operacionin pasi efektivat e RENEA, s’mund të komentohen. RENEA e ka treguar veten në shumë operacione dhe veprimet e tyre në terren janë sekrete. Për këtë pjesë unë s’mund të jap asnjë koment. Ngjarja u zgjidh në mënyrë profesionale”, deklaron Didi. I pyetur rreth akuzave të Flamur Nokës, në komision hetimor, Didi ka pohuar se nuk ka dëshirë të shprehet për këtë pjesë.

Shkrimi u publikua sot,9 maj 2014 në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia online
(d.a/shqiptarja.com)