Kur ndodhin ngjarje si ajo e datës 6 dhjetor me grushtin ndaj Sali Berishës, ato shoqërohen edhe me teori konspirative, sipas këndvështrimit të secilës palë. Personalisht nuk më pëlqejnë këto teori, sepse logjika e fakteve dhe provave duhet të jenë busulla e argumentit. Por meqë janë ngritur shumë teori të tilla, po shpalos këndvështrimin tim, sado ai mund të mos i përputhet realitetit.

Dihet tashmë sesi agresori Gerti Shehu shmangu sy për sy truprojat e Berishës dhe arriti ta godasë atë duke i shkaktuar dy plagë, një në mollëzën e faqes dhe një në anë të hundës, të dyja nga krahu i djathtë i fytyrës së Berishës. Deri më sot, më ndjeni nëse është e kundërta, nuk kemi asnjë dokument mjekësor që të evidentojë shkallën e dëmit të pësuar për Sali Berishën.

Mjeku ligjor ka për detyrë që në akt-ekspertizë të përcaktojë qartë e me prova se cila ka dinamika e plagës, forma, gjerësia, gjatësia dhe thellësia e saj, Këto janë elementë shumë të rëndësishëm, në kushtet kur Sali Berisha, siç theksova më lart, u shfaq menjëherë në televizion me dy plagë në fytyrë.

Mungesa e kësaj ekspertize na pamundëson të kuptojmë se ai grusht i vetëm, a ia shkaktoi menjëherë dy plagë në distancë me njëra - tjetrën e me atë tipologji plage? Ajo plagë që i pamë në hundë vjen nga një goditje e lehtë apo fortë e në qoftë e tillë a do kishte si pasojë krisjen e kockës së hundës ose rrjedhje gjaku nga vrimat e hundës? Prandaj në këtë rast duhej ekspertiza e mjekut specialist. Ndërkohë plaga në hundë tashmë nuk ekziston më, kurse ajo tek mollëzat e faqes fshihet prej syzeve me xhama të errët.

I ngre këtë pikëpyetje sepse momenti i goditjes së Berishës është kapur jo shumë i qartë nga kamerat pasi të gjitha ishin në lëvizje e sipër. Dhe, sapo ndodhi goditja, kameramanët u shpërqendruan prej zhvendosjes që i bënë truprojat e Berishës të cilët iu turrën Gerti Shehut dhe gjithë fokusi i kamerave u përqendrua aty.

Ndonjë kamera që u fokusua për pak sekonda tek Berisha, e pati të pamundur që ta evidentojë me pamje filmike se çfarë po ndodhte për 6 minuta me fytyrën e tij, pasi dikush aty pranë Berishës, me një dosje blu, ia mbuloi komplet fytyrën. A ka të bëjë ky mbulim për të ruajtur intimitetin gjatë pastrimit nga gjaku apo ... ?! Sa kohë pamjet mungojnë apo u mbuluan, teoritë konspirative qëndrojnë.

Vendngjarja u prish sepse si i dhunuari, ashtu dhe agresori, lëvizën që aty. Ato shami apo kartpeceta me gjak që disa kamera shfaqen të hedhura në asfalt, nuk u morën si provë materiale për të provuar që ishte gjaku i Berishës. Të dyja plagët, çuditërisht, nuk rrodhën më gjak, ndonëse nuk pati mjekim paraprak. Në një skenë krimi, çdo element vlen dhe nuk duhet neglizhuar, aq më tepër kur i dhunuari është politikan dhe çështja merr përmasa edhe më të mëdha.

Pasi Gerti Shehu doli nga SHQUP-i dhe iu dorëzua policisë, ai ka deklaruar në dëshminë e tij përpara oficerëve të Policisë Gjyqësore se agresionin e ka bërë sepse iu shfaqën përpara syve ngjarje si ajo e vitit ‘97 apo edhe Gërdeci. Kur një agresor ka dy kauza madhore, ato janë kauza që ai do mbronte dhe do përdorte qysh në pyetjen e parë që iu bë në ambientet e selisë së PD-së ku u shoqërua fillimisht prej truprojave të Berishës. Sipas dëshmisë së njërit prej atyre që e shoqëruan, Gerti Shehu ka thënë: “Ishte për t’u bërë”. Përse kauza e vitit ’97 dhe ajo e Gërdecit mungon tek përgjigjja që ai ka dhënë në selinë e PD-së?!

Largimi nga vendngjarja ishte një akt i dëmshëm i atyre që e realizuan. Mos ekzaminimi mjekësor i Sali Berishës, sërish është tjetër element që nuk ndihmon për të qartësuar ngjarjen dhe për të mos u krijuar teori konspirative që nuk i ndihmojnë ndriçimit të së vërtetës. Po ashtu, refuzimi i Berishës për të dëshmuar përpara prokurorëve për sa i ngjau, tregon mungesë respekti për institucionet e drejtësisë.

Pamjet televizive nuk janë të mjaftueshme për të provuar gjithçka, sepse ato mbetën pjesore ngaqë kameramanët u ndodhën të papërgatitur. Siç theksova më lart, kemi një individ me emrin Gerti Shehu që i afrohet Sali Berishës dhe zgjat krahun drejt tij duke e grushtuar. Por vetëm kaq. Më pas Berisha shfaqet me dy plagë, por për to nuk ka asnjë ekspertizë mjeko-ligjore. Dhe sa kohë gjërat nuk bëhen sipas procedurave ligjore sepse vetë i dhunuari refuzon t’i ndjekë këto procedura, teoritë konspirative do mbeten në fuqi.

Si përfundim, kjo ngjarje kërkon një punë hetimore shumë profesionale. Mungesa e bashkëpunimit nga pala e dhunuar dhe dëmtimi i atyre pak provave në vendngjarje, e vështirëson disi zbardhjen shpejt të së vërtetës. Fatmirësisht autori është gjallë dhe duhet punuar intensivisht në të gjitha drejtimet e mundshme për t’i zbërthyer të gjithë kontaktet dhe lëvizjet e tij. Guximi prej psikopati që ai shfaqi duke goditur Berishën e rrethuar me truproja e militantë, a ishte vërtetë një akt individual për ngjarje që kanë ndodhur kur autori ka qenë 6 vjeç apo ishte i nxitur (paguar) nga forca të tjera që kanë si qëllim destabilizimin e situatës në Shqipëri e të përfitojnë politikisht prej saj?!

Rëndësi ka që Sali Berisha e ka falur agresorin e tij. Po ashtu, rëndësi ka që edhe agresori Gerti Shehu i ka falur truprojat e Sali Berishës që e dhunuan. Të dy janë shëndoshë e mirë, njëri në parti e tjetri në qeli. Tashmë i mbetet drejtësisë që ta thotë fjalën e vetë, për t’i shkuar të vërtetës deri në fund, për autorin dhe kujtdo tjetër që mund të fshihet pas tij.