Ekspertiza: Prenga s’qëlloi me 
armën me leje, tyta s'bëri qitje

TIRANE- Deputeti Armando Prenga nuk ka qëlluar me armën që disponon me leje nga autoritet shtetërore, por dyshohet se ka qëlluar me një pistoletë tjetër që ai në ngjarjen e 5 shtatorit e mbante pa leje. Një fakt i tillë sipas prokurorisë ka dalë nga ekspertiza e pistoletës që është dorëzuar te oficerët e policisë nga gruaja e Prengës, Rovena, ku tregohet se arma e vënë në dispozicion nuk ka kryer asnjë qitje.

Kjo pasi në tytën e pistoletës nuk janë gjetur shenja të vjaskave, karakteristikë kjo që lihet nga armët pas procesit të qitjes. Madje edhe pretendimi i deputetit të PS Prenga se nuk ka qenë në vendin ku ndodhi përplasja mes dy fiseve Prenga dhe Cali, nuk qëndron sipas zyrtarëve të prokurorisë, kjo pasi në dosje janë administruar disa dëshmi që tregojnë prezencën e tij në sherrin para komisariatit dhe hapjen zjarr ndaj disa prej anëtarëve të familjes Cali. Kanë qenë pikërisht këto prova të administruara nga prokuroria e Përgjithshme që kanë bindur Gjykatën e Lartë të caktojë masën e “arrestit në burg” ndaj deputetit Prenga.

Prenga: Më futën në bodrum
Deputeti i PS është shprehur shumë i zhgënjyer nga trajtimi i tij në dhomat e shoqërimit në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Sipas tij, ai që nga dita e arrestimit është mbajtur i izoluar në një bodrum, ku nuk kishte asnjë gjë, ndërkohë që qelia VIP qëndronte bosh.

Këto deklarata ai i ka bërë teksa u pyet nga gazetarët nëse ishte lejuar nga policia të shihte ndeshjen e futbollit mes Shqipërisë dhe Portugalisë, ku ka shtuar se zyrtarët e policisë nuk i kanë ofruar asnjë shërbim, qoftë edhe higjenik. Ai ka shtuar se është i pafajshëm dhe se dikur nga partia e parë e kishin larguar, ndërsa nga partia e dytë, duke ju referuar Partisë Socialiste, e kishin shitur. Ndërsa për sa i përket dorëzimit të mandatit të tij të deputetit, Prenga është shprehur se do e dorëzojë vetëm pas vendimit të Gjykatës së Lartë.

Në një burg me Frrokun
Menjëherë pas vendimit të Gjykatës së Lartë që mbylli në “arrest me burg” deputetin e PS, Prenga është shoqëruar nga forcat e policisë duke u izoluar në ambientet e burgut 302 në Tiranë. Pikërisht në këtë burg qëndron i izoluar prej disa muaj dhe deputeti tjetër i PKD Mark Frroku. Ky i fundit ka qenë pjesë e maxhorancës qeverisëse por disa kohë më parë është përjashtuar nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste. Tashmë janë dy deputetë që qëndrojnë në burg, dhe që po hetohen për akuza të ndryshme si vrasje dhe plagosje të rëndë me dashje.

Të ndaluarit e tjerë
Përveç Prengës, në gjykatë janë paraqitur edhe të akuzuarit e tjerë të përfshirë në këtë çështje. Seancat gjyqësore për masat e sigurisë zhvillohen me dyer të mbyllura ndërsa i pari që çeli këtë proces ishte Gjergj Cali, ndaj te cilit gjykata vendosi të vlerësoje të ligjshëm arrestin dhe të vendosi masën "arrest me burg". Më pas ka vijuar me bodigardin e deputetit Prenga Anton Leka dhe me shtetasin tjetër të arrestuar Gazmir Jushi.

Ndërkohë që shtetasit Gjok Cali dhe Nikoll Cali, që ndodheshin të shtruar në spitalin ushtarak janë njohur me masën e “arrestit në burg”, nga ambientet e spitalit. Të gjithë këta persona janë arrestuar në mesnatën e 5 shtatorit, pas një përplasje me armë përpara komisariatit të Kurbinit. Shkak i këtij konflikti të rëndë është bërë monopoli i peshkimit në lagunën e Patokut në Kurbin, ku lejen nga ministria e Bujqësisë e kishte fituar vëllai i deputetit Armando Prenga, Eduart Prenga.
 
Bodigardi i Prengës: Isha në dasmë, qëllova me fishekzjarre
Cali,Tahiri më tha: Çdo gjë në rregull i kallëzuam, shteti na dhunoi në polici

Gjergj Cali, biznesmeni që kishte lejen për shfrytëzimin e peshkimit në lagunën e Patokut dhe që në 25 mars të këtij viti i ishte hequr licenca nga ministria e Bujqësisë, ka pohuar para Gjykatës së Lartë se për incidentin në lokalin e tij në Patok, e kishte informuar djali i tij, duke i pohuar se Armand Prenga i kishte shkatërruar lokalin dhe se kishte qëlluar me armë Gjok Calin. Sipas tij, i ndodhur përballë kësaj situate ai ka telefonuar shefin e komisariatit duke e vënë në dijeni për ngjarjen dhe ministrin e Brendshëm Sajmir Tahiri.

Gjithmonë sipas tij, ky i fundit i ka pohuar se Cali duhet të ndiqte rrugën ligjore dhe të depozitonte kallëzimin pastaj të gjitha do ishin në rregull. Nisur nga kjo bisedë, Gjergj Cali ka pohuar se së bashku me disa nga anëtarët e familjes së tij, kanë marrë makinën dhe janë drejtuar në komisariatin e Kurbinit ku Gjok Cali ka hyrë për të depozituar kallëzimin.

Mirëpo sipas Calit pikërisht në këtë moment ka mbërritur dhe deputeti Prenga së bashku me disa persona të tjerë, të cilët i kanë sulmuar me armë dhe thika,megjithëse ndodheshin përballë komisariatit dhe në prezencë të policëve. Pavarësisht kësaj Gjergj Cali është lënë në qeli. Ndërkohë i vetmi që i ka shpëtuar masës së arrestit në burg, është bodigardi Anton Leka,i cili është lënë me afat 1 muaj në qeli. Leka ka pohuar se ditën e ngjarjes ka qenë në dasmë në Durrës dhe se faktorët plotësues të barutit i ka pasur nga hedhja e fishekzjarreve në dasmë. 

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 9 Shtator 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)   

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord me vendimin e gjykatës për detyrim paraqitje të Berishës?



×

Lajmi i fundit

Francë/ Mbledhja e parë të Këshillit të Ministrave të qeverisë Bayrou, Marcon bëri thirrje për guxim dhe stabilitet

Francë/ Mbledhja e parë të Këshillit të Ministrave të qeverisë Bayrou, Marcon bëri thirrje për guxim dhe stabilitet