KURBIN- Një sasi e madhe tritoli është vendosur në këmbët e një shtylle të tensionit të lartë të linjës së interkonjeksionit Tiranë-Podgoricë.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:00 të 31 dhjetorit 2013, në vendin e quajtur Nderlalaj, në Milot, rrethi Kurbin, ndërsa ministria e Brendshme raportoi për incidentin duke e quajtur “akt terrorist”.

NE SHTYLLE SHKRUHEJ NAFTA, TAKSAT
Në njërën nga këmbët e shtyllës policia ka gjetur dy kartona, njëri me mbishkrimin NAFTA dhe tjetri me mbishkrimin TAKSAT, të cilat ishin të ngjitura me ngjjitese natriban në shtyllë. Shpërthimi ndodhi 1 ditë para se të hyjnë në fuqi taksat e reja ku përfshihet edhe rritja e akcizës për naftën.

NJERA KEMBE U KEPUT, NE KEMBEN TJETER U C'AKTIVIZUAN 6.4 kg EKSPLOZIV
Sipas ministrisë së Brendshme “Nga shpërthimi me lëndë eksplozive është këputur njëra këmbë e shtyllës në lartesinë 10 metra nga toka.
Ndërkohë në këmbën tjetër të kësaje shtylle, në lartësi 10 metra nga toka është gjetur një sasi prej 16 kallëpe tritoli me peshë prej 6.4 kilogramë, në të cilën ishte vendosur një kapsollë detonatore me fitil zjarrpërcjellës. “- thuhet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme.

Policia me të marrë njoftim ka mbërritur në vendngjarje dhe ekspertëtë xhenierë kanë bërë ç’aktivizimin e eksplozivit të pashpërthyer.

MINISTRIA E BRENDSHME: KY ESHTE AKTI I PARE TERRORIST
“Ky është akti i parë terrorist në Republikën e Shqipërisë që shoqërohet me mesazhe të qarta të lëna në vendngjarje nga autorët e vetë aktit. “- thuhet në njoftimin e policisë e cila saktëson se ka administruar të gjitha provat që janë gjetur në vendngjarje, të cilat janë dërguar për epskertim në Drejtorinë e Policisë Shkencore.

Shtylla objekt sulmi ndodhet në një faqe mali në afërsi të rrugës së vjetër Milot-Burrel pranë urës me harqe.

Policia informon se po punon për zbardhjen e dinamikës së këtij akti terrorist si dhe identifikimin e kapjen e autorëve të saj. Materialet e çështjes i janë referuar Prokurorisë së Rrethit Kurbin për veprën penale “Shkatrrim prone me eksploziv”, parashikuar nga neni 152 i Kodit Penal.

Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)