TIRANE- Atentatet me eksploziv të ndodhura gjatë javëve të fundit në vend, kanë detyruar Ministrinë e Brendshme të propozojë ndryshime në Kodin Penal për të ashpërsuar dënimet. Ministri Saimir Tahiri, ka  propozuar ndryshimet e dënimit për dy vepra penale që parashikojnë krimet e prodhimit e shpërndarjes së eksplozivëve”, si dhe “shkeljes së rregullave për ruajtjen e tyre”. Burime nga dikasteri blu thanë se Tahiri i ka dërguar dje Ministrisë së Drejtësisë, propozimet si dhe relacionin shpjegues.

Në relacionin shoqërues të projektligjit për rishikimin e Kodit, Ministria e Brendshme, e cila e ka hartuar, shpjegon se: “Duke marrë shkas  nga veprimtaria kriminale e përdorimit të lëndëve plasëse, prej të cilave siguria e rendit është e cenuar, nga strukturat përkatëse të Policisë së Shtetit, është bërë një analizë e hollësishme dhe është arritur në konkluzionin se veç shkaqeve të tjera, kjo situatë favorizohet edhe nga masa e ulët e dënimit të parashikuar në dispozitat përkatëse të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë”.

Ministria  Brendshme ka konstatuar, krahas veprave penale me lëndë plasëse, edhe shkelje në rregullat e ruajtjes, magazinimit, administrimit, transportit të lëndëve plasëse për përdorim civil nga subjektet e licensuar në këtë veprimtari. Në vendin tonë ka një numër të madh të subjekteve që janë licensuara për veprimtarinë e import-eksportit dhe përdorimit civil të lëndëve plasëse, të cilët kryejnë aktivitet  në shfrytëzimet nëntokësore, guroreve, etj.

Sipas Ministrisë së Brendshme, si rezultat i keqadministrimit të lëndës plasëse nga subjektet e licensuara në veprimtarinë me lëndët plasëse për përdorim civil, Policia e Shtetit ka kapur në flagrancë dhe ka bërë sekuestrimin e lëndës plasëse duke referuar materialet në Prokurori për veprën penale, “Shkelje e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive“ parashikuar nga neni 282 i Kodit Penal. Por personat përgjegjës janë ndjekur në gjendje të lirë nga organi i prokurorisë, pasi shkelja në Kodin Penal është e përcaktuar si kundërvajtje e lehtë penale.

“Duke u nisur nga nenet aktuale 278 dhe 282 të Kodit Penal, mendojmë se janë të pamjaftueshme sanksionet e parashikuara në rastet e konsumimit të veprës penale të “prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe të municioneve” si dhe “shkeljes së rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive”, thuhej në relacionin e ministrisë së Brendshme. 
 
Ndryshimet e propozuara
Në nenin 278 bëhen këto ndryshime:
a) Në paragrafin e tretë, fjalët “dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet” zëvendësohen me fjalët “dënohet me burgim nga pesë deri në tetë vjet”.
b) Në paragrafin e pestë, fjalët “dënohet me burgim nga dhjetë deri në njëzet vjet” zëvendësohen me fjalët “dënohet me burgim nga pesëmbëdhjetë deri në njëzet vjet”.

Në nenin 282, bëhen këto ndryshime:
a) Në paragrafin e parë, fjalët “përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet” zëvendësohen me fjalët “dënohet me burgim nga tre deri në pesë vjet”.
b) Paragrafi i dytë, fjalët “dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dhjetë vjet” zëvendësohen me fjalët “dënohet me burgim nga dy deri në dhjetë vjet”.

Shkrimi u publikua sot (08.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)