Fatura për të përballuar çmimet, sa vjen e rritet këtë vit. Sipas raportit të fundit të INSTAT në tetor inflacioni ishte 3.4%, aq sa ishte edhe në korrik, ndërsa në gusht e shtator pati një nivel më të ulët. Këto janë edhe shifrat më të larta të inflacionit që prej janarit të vitit 2024, kur nisën të zbeheshin efektet e krizës së çmimeve që solli lufta në Ukrainë.

Referuar raportit, kontributi kryesor në këtë shtrenjtim muajin e kaluar, u dha nga grupi i ushqimeve me 1,36 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Transporti” me +0,73 pikë përqindje e më pas çmimet e grupit “Qira, ujë, energji elektrike, gaz dhe karburante të tjera” ndikuan me +0,56 pikë përqindje.

Kurse në krahasim vjetor me 2025-ën, INSTAT thotë se shtrenjtimi më i madh ishte tek transporti me 11.4%, ku ndikim kryesor ka dhënë çmimi i hidrokarbureve. Sipas të dhënave, kostot për karburantin u rritën me 13.2% në tetor, ndërsa një shtrenjtim i fortë është regjistruar tek shërbimi postar me 13.6% krahasuar me vitin e kaluar.

Tek grupi i ushqimeve rritja krahasuar me tetorin e vitit të kaluar është 4%, dhe ndikimi më i madh është dhënë nga shtrenjtimi i produkteve të peshkut me 10.1%, të perimeve me 9.9% dhe të mishit që kushton 4.7% më shumë se vjet.

Për shkak të faturës së lartë që kanë ushqimet në buxhetet e familjeve, rreth 40%, qeveria ka parashikuar të ulë TVSH-në për ushqimet nga 20% në 6% nga 1 janari i vitit që vjen, me qëllim që të ulen edhe çmimet.

Ndërkohë deri më tani Banka e Shqipërisë ka vendosur ta mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në 2.5% përpos pritshmërisë për rritje të inflacionit edhe më tej në 6 muajit e ardhshëm.