Ekspozita/ Devrim Erbil dhuron
 veprën 50 mijë euro në Tiranë

Ekspozita/ Devrim Erbil dhuron<br /> veprën 50 mijë euro në Tiranë
TIRANE- Teknikat e tij të pikturimit janë gati të paarritshme nga duart e mjeshtërve të pikturës, por tablotë e Devrim Erbil mund të përçojnë njëkohësisht me “hutimin” që të jep teknika piktorike e veprës shumë dashuri, ndjesi, muzikë, gëzim. Ky është përjetimi i parë i çdo vizitori në ekspozitën e piktorit turk në Tiranë.

Më 15 Prill Galeria Kombëtare e Arteve, Ambasada e Turqisë dhe Insitituti Kulturor “Junus Emre” në Tiranë ka çelur për publikun ekspozitën “Me dashuri nga Stambolli”, të një prej artistëve më të njohur turq, Devrim Erbil. Ky është prezantimi i parë i këtij artisti në Shqipëri me një ekspozitë personale, të kuruar nga Beste Gürsu.

Ekspozita tregon një përzgjedhje prej rreth 25 veprash në pikturë, shumica në teknikën akrilik dhe vaj në kanavacë dhe në dimensione të mëdha, të cilat në fokusin e tyre kanë Stambollin. Bukuria legjendare e natyrës së këtij qyteti dhe pamjet panoramike të krijuara nga dora e njeriut kanë frymëzuar artistë të ndryshëm për shekuj me radhë.

Devrim Erbil

Prezantimi i piktorit të shquar turk u shoqërua edhe me një surprizë të pazakontë. Njërën prej veprave, atë me titull “Gallataja e Gjelbërt” (2014, 150x 150 cm, teknik e perzier mbi kanavacë), artisti ia dhuroi fondit të Galerisë Kombëtare të Arteve. Zbulojmë se piktori turk Devrim Erbil dhuron veprën me një vlerë prej 50 mijë euro për Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë. Devrim Erbil është një nga artistët më të vlerësuar të Turqisë edhe në nivelet ndërkombëtare.

Ashtu si thotë përshkrimi në Christie’s, shtëpia e famshme e ankandeve, ku veprat e këtij autori kapin shifra të konsiderueshme, me dhjetëra mijë dollarë, puna e hershme e Devrim Erbil të kujton fort veprat dhe ilustrimet e Matrakci Nasuh, një nga figurat më të rëndësishme të Turqisë së shekullit të 16-të, dhe aktiv gjatë kohës së Sulltan Sulejmanit të Madhërishëm, të cilat kombinonin një mori ngjyrash natyrore me perspektivën ajrore dhe lartësinë horizontale. Në pikturat e mëvonëshme Devrim Erbil trajton perspektivën dhe proporcionet në mënyrë më natyrale, ndërsa ngjyra në punët e tij bëhet monokrome dhe ekspresive.
 
Prezantimi i veprave në Tiranë
 
Gjatë konferences për shtyp, Artan Shabani, drejtori i GKA, falënderoi piktorin turk për veprën e dhuruar, duke e cilësuar një pasuri të vërtetë për fondin e GKA. “Bashkëpunimi me mjeshtrin e madh të pikturës turke Devrim Erbil ka qenë një magji që erdhi fluturimthi, ashtu siç është edhe piktura e tij. Na ka dhënë një kënaqësi të madhe dhe ndihemi të nderuar që e kemi pritur këtë artist në Galerinë Kombëtare.

Ky bashkëpunim sjell një klimë kaq të hapur dhe të nevojshme, pasi urat që lidhen përmes artit janë ato më të fortat. Sa i takon ekspozitës, ajo sjell dy tema: Tema e parë i përket pamjeve figurative ajrore të Stambollit dhe lartësive horizontale të rrethinave të tij. Tema e dytë i përket imazheve ritmike, poetike dhe abstrakte. Procesi teknik është befasia që sjell shtresa e ngjyrës me inçizimin e vijës vizatimore në prodhimin figurativ e abstrakt”, u shpreh mes të tjerash drejtori i GKA.

E pranishme në konferencë, kuratorja e ekspozitës Z.Beste Gursu tha: “Së pari kemi ardhur këtu me shumë dashuri, ashtu siç ka titullin kjo ekspozitë.
Për veprën e Devrim Erbil është më e rëndësishme ta shohim se të flasim. Duket shpesh sikur ka një çiltërsi fëmije në vështrimin nga lart që ai i bën Stambollit, por në veprat e tij Devrim Erbil  shpreh një tërësi artistike e cila vjen si rezultat i frymës tradicionale të trashëguar. Piktura e tij sjell një sens të rëndësishëm të historisë dhe që është shumë e vlefshme për brezin e ri”. 

Ndsërsa vetë artisti Devrim Ervil  falëndëroi ambasadorin turk në Tiranë, drejtorin e Institutit Yunuse Emre, Tayfun Kalkan, dhe në veçanti drejtorin e Galerisë Z. Artan Shabani “për atmosferën që i ka dhënë këtij institucioni dhe këtij bashkëpunimi”, siç u  shpreh ai. “Tirana më pëlqen shumë , është shumë e ngrohtë dhe artdashëse. Unë erdha pikërisht për të njohur  këtë vend, për të njohur ju dhe kjo ekspozitë është vetëm fillimi i një bashkëpunimi që do të vazhdojë edhe në fushën akademike.

Mendoj se arti është rruga më e mirë për të afruar njerzit, është shpresa e vetme e njerëzimit, i cili në këto kohë ka shumë dhimbje. Unë erdha dhe ju sjell këtu dashurinë time, ndjenjat e mia, prandaj është edhe kënaqësi që t’i dhuroj Galerisë Kombëtare një nga veprat e mia, e gjelbërta e së cilës shkon shumë me atmosferën në Tiranë”.

Mbi karakteristikat e pikturës së tij, Devrim Erbil shpjegon  se ajo është tërësisht e frymëzuar nga tradita, nga arti i miniaturës së mjeshtërve të mëdhenj të lindjes, stili i të cilëve ndryshon nga  arti perëndimor. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më datë 5 Maj 2015
 
 
Kush është Devrim Erbil
 
Devrim Erbil lindi në vitin 1937. Ai studioi pikturë në Akademinë Shtetërore të Arteve të Bukura në Stamboll në 1955 fillimisht nën Halil Dikmen dhe më vonë në studion e Bedri Rahmi Eyüboglu. Nga viti 1965 stili unik i piktorit Devrim Erbil tërhoqi vëmendjen e një audience ndërkombëtare. Atij iu dha një bursë arti nga qeveria spanjolle për të studiuar pikturë në Madrid dhe Barcelonë. Më vonë vazhdoi karrierën e tij akademike në Paris dhe Londër.

Më 1968 Erbil u zgjodh "Artisti i ri i vitit" në Turqi dhe në 1991 u nderua me titullin e rëndësishëm “Artist i Shtetit të Turqisë”. Përveç karrierës së tij në pikturë Devrim Erbil ka dhënë kontribut për zhvillimin dhe promovimin e arteve në Turqi.

Ka qenë President i Shoqatës Turke të Arteve dhe President i Shoqatës së Arteve Pamore Bashkëkohore. Gjithashtu ka qenë edhe drejtor i Muzeut të Pikturës dhe Skulpturës në Stamboll. Erbil ka një karrierë të pasur dhe të gjatë edhe në qarqet akademike. Aktualisht është Profesor i Pikturës në Departamentin e Pikturës në Universitetin Mimar Sinan.

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 17 Prill 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Zgjedhjet e pjesshme në Himarë, s’u lejuan të votonin me karta të skaduara, reagon Omonia

Zgjedhjet e pjesshme në Himarë, s’u lejuan të votonin me karta të skaduara, reagon Omonia