13 piktorë peizazhistë kanë udhëtuar në çdo cep të Shqipërisë për të realizuar ekspozitën “Plein air” në Muzeun Historik Kombëtar. Objekti i artit të këtyre artistëve në këtë edicion të katërt është natyra shqiptare nga Veriu në Jug. Piktori Sefedin Stafa rrëfen se si artistët bëhen bashkë, për të sjellë bukuritë e natyrës shqiptare në katër stinët e vitit në një ekspozitë.
Qëmtohen vendet më të bukura që kemi në Shqipëri edhe në fund bëhet një ekspozitë. E vërteta është që në këtë ekspozitë bëhen bashkë brezat, profesor Buza është 82 vjeç edhe është më aktiv sesa ne.
Piktori Sefedin Stafa
Piktorët Kujtim Buza, Buron Kaceli, Nikolin Ivanaj, Pashk Përvathi, Qamil Prizreni, por jo vetëm, prezantojnë veprat e tyre, duke sjell individualitetin e tyre, por në qendër është dashuria për natyrën
Një vend ndërtohet kur ndërtohet arsimi, kultura, por edhe arti. Për ne ky është një ushqim shpirtëror. Ushqimi shpirtëror është pak i vaktë, sidomos me tendencat e fundit, që nisin. Nuk jam kundër pikturës moderne, por nuk jam as që t’i hedhesh bojë telajos. Ne na pëlqen që të vazhdojmë në këtë traditë. Çdo artistë mundohet që të gjejë pikat më interesante të vendit tonë.
Piktori Sefedin Stafa
Stafa ndalet edhe tek hapësirat e pakta ekspozuese, që kanë piktorët shqiptarë, duke shtuar se çështjet duhet riparë nga GKA dhe Ministria e Kulturës
Dëgjo. Ky është një problem që duhet ta shikojë mirë Ministria e Kulturës edhe GKA. GKA këtu në Shqipëri është vendi i piktorëve, por kohët e fundit ka nisur që të jetë drejt instalacionit dhe drejt figurave që mbase mblidhen si klane. Kjo nuk është e mirë. Duhet që të ndërtohet një vend për ekspozime edhe që piktorët mos të paguajnë për atë që ekspozojnë. Por është lënë në mëshirën e fatit.
Piktori Sefedin Stafa
Piktori shton se artistët më të lehtë e kanë që të ekspozojnë jashtë vendit, se në Shqipëri
Shumë prej nesh ka ekspozuar edhe jashtë. Kjo koloni që është bërë, është ndikuar edhe nga pasioni që ka artisti, ne kemi qenë në Maqedoni, Kosovë etj. Po, po. Në Kosovë edhe ta paguajnë që të shkosh të ekspozosh. Ndërsa, ne paguajmë kjo është e keqja.
Piktori Sefedin Stafa
Artisti bën thirrje që të punohet për artin më shumë në shkolla
Më vjen keq që lidhet studimi për artin në klasën e dhjetë, edhe lihet fakultativ. Nëse ata nuk mësojnë më herët, ne do të kemi një brez të pakulturë.
Piktori Sefedin Stafa
Ekspozita do të qëndrojë në Muzeun Historik Kombëtar për publikun deri më datë 22 dhjetor.