Diskutimi mbi retushimin që i është bërë 30 vjet më parë Mozaikut "Shqipëria sot" vendosur në vitin 1981 në fasadën e Muzeut Historik Kombëtar vijojnë ende pas restaurimit të tij.  Palët janë ndarë. Disa mbështesin idenë e ruajtjes së një vepre në origjinal, zëra të tjerë e shikojnë me skepticizëm ekspozimin në ballë të institucionit kyç muzeal të vendit e në qendër të Tiranës, një mozaik që thërret sipas tyre përmes soc'realizmit e simboleve të diktaturës atë periudhë. Por krahas këtyre qasjeve, debati, është 'fryrë' së fundmi duke ironizuar edhe vetë retushimin që iu bë Mozaikut me Vendimin nr.554 datë 15.11.1993  të Këshillit të Ministrave, në kohën e qeverisë së Aleksandër Meksit dhe president Sali Berishën. Ndonëse ky vendim urdhëronte heqjen e menjëhershme të simboleve komuniste nga mozaiku, duket se disa prej tyre i kanë shpëtuar udhëheqjes së atëhershme. Vetë, Agim Nebiu, një nga bashkautorët e Mozaikut, për të shmangur heqjen e të gjithë veprës, 'retushoi' në atë kohë librin e Enver Hoxhës në dorën e punëtorit dhe dy yjet e veprës. Por, ajo që po evidentohet në rrjetet sociale këto ditë është fakti se në vepër ka ende yje të tjerë si simbolikë komuniste të mbetura në të. Ato gjenden në shami, në kapele e madje edhe në vetë xhubletën e veshur nga gruaja që simbolizon Shqipërinë.

Arkitekti Artan Shkreli e konsideron si “Obsesion për yjet” sagën e retushimit të veprës.

“…pa llogaritur katër shallet e kuq, por as të kuqin libër (se për yjet maniakale të kostelacionit të xhubletës as që do mundeshim!)”, shkruan Shkreli në rrjetet sociale.

E bija e artistit Hasan Nallbani, Etleva ironizon për yjet në xhubletë.

“Qëndisur me yje këtu e 4000 vjet më parë”, shkruan ajo.