Përbën një pasuri të muzikës sonë polifonike që bën bashkë këngën, vallen dhe një kaba toske me gërnetë, violinë dhe saze.
Kënga në sfond është kënga origjinale kushtuar heroit të popullit në frontin e luftës së Vlorës, Selam Musait, interpretuar nga mjeshtri Bilbil Vlora një ndër reformuesit kryesorë të muzikës qytetare me saze në Labëri, që ka ndihmuar shumë në popullarizimin e saj. Për herë të parë pllakat origjinale të gramafonit, si edhe fotografi të vjetra nga jeta dhe veprimtaria artistike e Bilbil Vlorës u ekspozuan në Qendrën për Hapje dhe Dialog në Kryeministri në 135 vjetorin e lindjes së artistit. Gjetja dhe konservimi prej stërnipit i disa disqeve origjinale gramafoni të regjistruara nga Bilbil Vlora dhe shoqëria e tij muzikore, pranë shtëpisë diskografike “Columbia” në fillim të viteve `30 të shekullit të kaluar ishte rastësi dhe erdhi në kuadër të studimit të artefakteve kulturore në periudhën e Rilindjes Kombëtare dhe Pavarësisë.
“E gjithë kjo fillon që kur isha fëmijë dhe dëgjoja për stërgjyshin dhe thosha çfarë ka bërë derisa erdhi dita kur u njoha me z.Niko Kotherja, pasi koleksioni që shohim këtu është i tij dhe shkova në Korçë ku dëgjova për herë të parë zërin e stërgjyshit dhe regjistrimet e tij.”,- thotë stërnipi i Bilbil Vlorës, Emanuel Tufa.
Ndërsa sipas Niko Kotheres, studiues dhe drejtues i Qendrës së veprimtarive tradicionale, përmes 20 regjistrimeve në këto pllaka, "kemi mundësinë të njohim dhe studiojmë atë që Bilbil Vlora na la".
"Lajmi i mirë është që në një moment të afërt mund të kemi mundësi të zbulojmë të tjera regjistrime të mjeshtrit, të cilat thjesht janë regjistruar nga shtëpia diskografike “Columbia”, por kemi dyshime nëse janë hedhur në tregun e kohës.”, thotë ai.
Këngët qytetare me saze janë një traditë e pasur në muzikën shqiptare, shpesh të lidhura me rajonin e Jugut, veçanërisht në qytete si Vlora. Këto këngë zakonisht shprehin emocionet e jetës së përditshme, dashurinë, nostalgjinë dhe historitë e vendit.
“Në zonën e Labërisë ushtroi veprimtarinë e vet mjeshtri Bilbil Vlora, i cili ishte një talent i përmasave botërore, sepse kontributi i tij dhe mjeshtrave të tjerë lidhet me fytyrën identitare që duhej të kishte qyteti shqiptar, i cili po dilte nga periudha e pas shpalljes së pavarësisë.”, - nënvizon entomuzikologu Vasil Tole.
Bilbil Vlora është një ndër mjeshtrit e parë që e rendit kontributin e tij pas një emri si Selim Leskoviku, krahas Vangjel Leskovikut, Jonuzit e Lamçes, apo siç njihet themeluesi i sazeve të Radio Tiranës dhe Mehdi Përmeti. Bilbil Vlora, atë kontribut që këta mjeshtra dhanë për pjesën e Toskërisë e dha në Labëri.
"Meloditë e bukura të Labërisë, të bregut të Detit, të Kurveleshit i shndërroi në një lëndë muzikore, që themeloi muzikën popullore tradicionale të Vlorës, traditë që më pas e vazhdoi i biri dhe trioja vlonjate e famshme.”, - vijon Tole.
Deri më sot, krijimtaria dhe interpretimet e Bilbil Vlorës janë të dokumentuara në 10 disqe. Emri i Bilbil Vlorës mund të lidhet shumë ngushtë me muzikën e njohur të “Gjeneral Gramafonit”, pasi origjinali i Kabasë, që interpretohet në film është kabaja e Vlorës, ndërkohë që kënga e tij është monument i vërtetë për Selam Musain.
Një nga mjeshtrat më të mëdhenj të kabave të Shqipërisë, ky aktivitet, i quajtur “Rikthim, Polifonia Labe” është i pari që organizohet në COD, përsa i përket një muzikanti të shquar popullor dhe përkon edhe me 135 vjetorin e lindjes së artistit.