Këtë herë ai nuk shfaqet si politikan, por si artist nën dritën e një monografie të veçantë të titulluar “Edi Rama – Neuroestetika e një artisti”. Me autor Oltsen Gripshi, monografia, sjell për herë të parë një qasje studimore ku ndërthurret neuroshkenca dhe estetika në art.

“Para pak ditësh më 9 tetor 2025 në një takim ndërkombëtar të mbajtur në Tiranë, takim që s'kishte lidhje me artin, Rama përsëriti në mënyrën më të qartë dhe në formën më të pastër të mundshme se cili është ai në thelb. Po citoj fjalët e tij: ‘Unë nuk jam gjeneral dhe dhe as ekspert kibernetik. I vetmi në qeverinë time pa një doktoraturë jam thjesht një artist’,- tha ai. Pak më përpara se kjo, në një intervistë të një medie italiane ai pohonte se krijimet e tij janë të gjitha vizatime instinktive.”,  tha nënkryetari i Akademisë së Shkencave, Vasil Tole.

Sipas akademikut Vasil Tole, Gripshi ka meritë të veçantë sepse synon zbulimin e aktit të pikturimit të Ramës, përmes përvojave estetike në nivelin neurologjik.

“Si e tillë kjo qasje vjen për herë të parë në fushat e studimeve mbi artet pamore shqiptare. Ai e ka parë atë si një shembull unik, do të thosha për të shpjeguar dhe kuptuar proceset e drejtpërdrejta të krijimit. përmes neuroshkencës. Studiuesi e ka parë pikturën e Ramës si një materie ekzistencialiste parëndëse të imagjinatës dhe këtë përkufizim arrin duke iu afruar fenomeneve që studion kjo nën disiplinën e estetikës së aplikuar.”, vijoi Tole.

Libri është i ilustruar me veprën e artistit dhe teksti studimor zhvillohet në kapituj të kuptueshëm. Kritiku Josif Papagjoni vlerësoi veprën e Gripshit, e cila nuk e ngatërron Ramën kryeministër me atë piktor.

“Unë gjykoj se në pikturën e Edi Ramës është një modelim i ri i pikturës shqiptare.” , tha Papagjoni.

Ai merr si shembull pikturën “Pikëllimi i netëve kosovare”, duke thënë se me këtë vepër Rama ka bërë një kapërcim në artin shqiptar.

“Refuzon pjesën figurative dhe kalon në pjesën nuk mund ta quajmë simbolike, po atë që ndoshta është termi i vërtetë i një farë neuroestetike të pikturës, ku mund të shpjegohet kjo pikturë. Imazhi është spontan. Ky imazh është riprodhim i një gjendje si të thuash të pavullnetshme, gati gati, të lirshme, të shpenguar, të aty për atyme të piktorit.”, tha studiuesi.

Monografia u vlerësua si një kontribut i rëndësishëm në kritikën bashkëkohore të artit shqiptar, duke ofruar një kornizë teorike moderne për interpretimin estetik