Ekstradimi/ 10 dëshmitë e Izet
Haxhisë që ‘fundosin’ Berishën

Ditë të vështira për Sali Berishën dhe familjen e tij politiko-biologjike. Lejimi i ekstradimit nga Turqia i Izet Haxhisë në Shqipëri pritet që të trondisë familjen Berisha. Ish-bodigardi ka denoncuar skandale, ndërsa ka akuzuar familjen e ish-kryeministrit Berisha si të përfshirë në shumë afera. Ekstradimi i Haxhisë mund të jetë për ta marrë edhe si dëshmitar për dosjet rënda politike. 

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian po ushtrojnë presion të madh për ‘prerje kokash’ si në Kroaci dhe Rumani, ku janë dënuar ish-kryeministra, ministra, ish-ministra, deputetë etj. Në disa intervista të dhëna për Shqiptarja.com, Haxhia ka deklaruar se është dëshmitar i shumë ngjarjeve të rënda deri në vitin 1998, pas të cilave, sipas tij, qëndron Sali Berisha.

Izet Haxhia ka shprehur vullnetin për të rrëfyer për të gjitha ngjarjet e rënda, në një sallë gjyqi, ku përballë të ketë ish-kryeministrin. Duke iu referuar këtyre deklaratave të tij, po rendisim disa prej ngjarjeve më të rëna, për të cilat Haxhia mund të dëshmojë para drejtësisë së re shqiptare.

1. 14 Shtatori ‘98
Izet Haxhia pretendon se ka qenë zbatues i skenarit të grushtit të shtetit në 14 Shtator të ’98, me urdhër të Sali Berishës. “Unë që kam qenë një nga zbatuesit e këtij skenari, për grusht shteti, me direktivë të marshallit. I them Marshallit se ka ikur koha e budallenjve si puna ime, që sulmonin institucionet e shtetit për interesat karrieriste e antishqiptare të tij”, ka deklaruar Haxhia.

Po ashtu, Haxhia ka folur edhe për direktivat e Berishës. “Ditën e këtij grushti shteti udhëzimet që vinin nga Berisha ishin të mos sulmohej e të mos merrej Presidenca, por vetëm Kryeministria e braktisur nga Nano, që i fiksuar pas plumbit që i la në tavolinën e tij, ndihmësi i tij, por shërbëtori i treshes Kastriot Islami, në 13 shtator, kishte marrë arratinë për Maqedoni”, ka pohuar ai.

2. Hapja e depove të armëve
Izet Haxhia ka deklaruar se Sali Berisha ka urdhëruar hapjen e depove të armëve në ’97, për të armatosur militantët e Partisë Demokratike, për të luftuar kundër Jugut.“Një herë pati thënë që depot e armëve i hapën rebelët e kuq, herën tjetër që erdhën nga deti ata që i hapën depot dhe tani, në fund, që ai paska lejuar hapjen e tyre për të armatosur popullin, që të mbrojë veten nga bandat e kuqe.

E vërteta e hapjes së depove të armëve është ajo që ato depot i hapi populli i rebeluar i Jugut, për të rrezuar Berishën. Dhe Berisha, i fiksuar nga revolta me armë e nisur në Jug, urdhëroi hapjen e depove në Veri dhe shpërndarjen e armëve për militantët e PD në Tiranë, me qëllim që, konfliktin në mes tij e popullit të revoltuar kundër politikave të PD e Berishës, ta shndërronte në një konflikt Jug-Veri”, ka deklaruar Haxhia.

3. Vrasja e Azem Hajdarit
Ish-truproja e Sali Berishës, Izet Haxhia, ka implikuar Berishën në vrasjen e Azem Hajdarit. Haxhia ka deklaruar se Sali Berisha e nxori Azem Hajdarin në pritë e vrasësve, ndërsa ngriti me shpejtësi një alibi. “Berisha ishte i informuar për ardhjen e Fatmirit në Tiranë që me 11 shtator dhe me stacionimin e tyre pranë PD që në momentin e parë. Ai, i alarmuar thërret në zyrën e tij Hajdarin, i cili po hezitonte të dilte të takonte Fatmirin në atë vend që do komprometonte Hajdarin, ashtu të kompromentuar para syve të Berishës.

Biseda e nervozuar që ka bërë Berisha me Hajdarin në ato momente (bisedë e dëgjuar vetëm nga Linda Ihsani më vonë e vdekur në mënyrë të “papritur” si shumë të tjerë afër Berishës) tregon se Hajdari është urdhëruar që të dalë e të largojë ata që kishte sjellë vetë aty, pra Haklajt. Vetë nxitimi i Hajdarit gjatë daljes se tij e tregon këtë kërcenim. Po përse Berisha nuk njoftoi organet shtetërore se PD ishte rrethuar nga kriminelët tuaj, por përdori Hajdarin për t’i larguar ata?”, ka rrëfyer Haxhia.

4. Për torturimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës
Haxhia implikon Gazideden dhe Berishën në torturimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës. “Arrestimi i Remzi Hoxhës është bërë me urdhër të Gazidedes, kjo është e sigurt. Atëherë mes nesh flitej se Remzi Hoxha kishte filmuar një takim të Berishës, Gligorovit e Millosheviçit në vilën Viljana në Ohër. Që ka pasë një takim Berisha-Gligorov në atë vilë, kjo është e vërtetë. Nuk di për Millosheviçin, por ajo që më ka bërë përshtypje në atë takim është se asnjë nga shoqëruesit e Berishës nuk është lejuar të futet në brendësi të kësaj vile.

Gjë që nuk na ka ndodhur kurrë në asnjë takim tjetër ndërkombëtar, madje as në Shtëpinë e Bardhë… Remziu ka vdekur nga torturat në qelitë e SHIK-ut. Atë kohë qarkulluan nën zë dy variante për trupin: njëri, që u transportua në det afër Lezhës me lundër dhe u hodh atje dhe, i dyti, që kufoma u dogj dhe u varros diku në anën e pasme të Dajtit”, ka rrëfyer Haxhia.

5. Plani për të vrarë Aleksandër Meksin
Ish-truproja i Sali Berishës, Izet Haxhia, akuzon ish kryeministrin demokrat, se ka urdhëruar një vrasje të mbetur në tentativë, të ish-kryeministrit Aleksandër Meksi. “Lajmi i shumëpritur për rrëzimin e avionit që mbante Meksin nuk kishte ardhur, sepse falë pilotit italian me mjaft përvojë në fluturimet e tij në vendet afrikane si Somali, Libi, kishte bërë një ulje të pamundur në pistën e errët të Rinasit duke shpëtuar jetën e Meksit dhe pjesëtarëve të tjerë të delegacionit shqiptarë, dhe duke shuar ëndrrat e Koplikut për t’u bërë kryeministër dhe ato të Marshallit për të hequr qafe një kundërshtar potencial të tij Aleksandër Meksin…", ka pohuar Haxhia

6. Plani për të vrarë Sabit Brokajn
Haxhia ka deklaruar se ka pasur edhe një kërkesë për të vrarë Sabit Brokajn. “Sa për rastin e Dr. Sabit Brokaj është një kërkesë që i ka bërë Hajdari vëllait tim, e jo mua, për ta vrarë Dr. Sabitin. Vëllai im e ka hedhur poshtë këtë kërkesë të Hajdarit. Në atë kohë unë nuk flisja me Hajdarin pas ngjarjes te Stadiumi Dinamo. Por Azemi merrte çdo ditë në telefon në Presidencë dhe kërkonte të bashkohej me ne që ishim në Presidencë për mbrojtjen e Berishës. Dhe ka qenë kërkesa ime për Berishën në atë kohë, që pas këtyre lutjeve të Azemit, ai u përfshi përsëri në strukturat e PD në atë pranverë të ’97, pasi ai ishte i larguar nga këto struktura”, ka pohuar Haxhia.

7. Atentati ndaj Ambasadës Amerikane
Izet Haxhia ka pohuar se në vjeshtën e vitit 1998, është gjendur në kamionin me eksploziv, i cili do të hidhte në erë ambasadën amerikane në Tiranë. “Është e vërtetë që ka patur një skenar për hedhjen në erë të ambasadës amerikane në vjeshtën e ’98, në prag të sulmeve të NATO ndaj Serbisë, duke përdorur celulat e Bin Laden në Shqipëri. Në këtë skenar, pa dijeninë time, do gjendesha në kamionin me eksploziv që do hidhe në erë ambasadën amerikane, por vrasja e Hajdarit e pengoi këtë skenar, vrasje në të cilën u gjenda i përzier pa dijeninë time”, thotë Haxhia.

8. Bomba te kioska e Lush Përpalit
Haxhia ka pohuar se Ylli Rakipi dhe Berisha urdhëruan vendosjen e bombës tek kioska e Lush Përpalit. “Rasti i parë është vendosja e bombës tek kioska e Lush Përpalit. Ka qenë dita kur ti Ylli do ikje në Turqi për të marrë ndihma për gazetën tënde të partisë tek miqtë e Berishës.

Para se të niseshe kemi folur për vendosjen e kësaj bombe, kuptohet me porosi të ‘marshallit’ dhe të kam thënë që sa do zbresësh në Turqi kjo punë është e mbaruar. Dhe e vërteta është se pa zbritur ti akoma në aeroportin e Stambollit, bomba është vendosur dhe i pari që ke marrë lajmin në tel. ke qenë Ti apo ke harruar? Mos më thuaj që kur zbrite në Stamboll nuk të pritën aty Miri i Xhikes me Ylli Kelmendin me porosinë time kuptohet”, thotë ai.

9. Bomba te zyrat e Sorosit
Ish-truproja i Sali Berishës ka folur edhe për një bombë të vendosur tek zyrat e Sorosit. “Prindërit e mi të thjeshtë e të ndershëm më kanë edukuar të mos gënjej kurrë, të mos shpif, të mos vjedh, te jem i ndershëm e besnik. Ndërsa ti, kuptohet që ke marrë shumë nga zanati i babait tënd prej sigurimsi. Nuk e njof as Sorosin as soroistat. Por dua të kujtoj ty dhe Salehut se me porosi të tij kemi vendosur bombën në ndërtesën e këtij fondacioni në mars të ’97-s, sepse ky, sipas Salehut, po financonte rebelimin e kuq dhe gazetën e këtij rebelimi, “Koha jonë”, pohon ai.

10. Për Shkëlzenin
Sipas Haxhisë, Shkëlzen Berisha ka marrë 30 mijë lireta nga Miri i Xhikes. “Kam qenë dëshmitar vetë në distancë kur Zeni ka marrë 30 milionë lireta nga Miri i Xhikes tek stadiumi “Qemal Stafa””, ka deklaruar Haxhia.

d.c./shqiptarja.com

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen