TIRANE-Është ekstraduar nga Itali drejt Shqipërisë, Kastriot Baki Dervishi. 34 vjeçari do të kryejë në vendin e tij dënimin me 25 vjet burg për vrasjen e kryer në 1997, kur ai ishte në moshën 19 vjeçare.

Sipas policisë më “3 shtator 1997, në një fshat të Beratit Kastriot Baki Dervishi ka vrarë me armë zjarri, shtetasit Ali dhe Adrian Daullja, (babë e bir), sepse këta persona nuk e kishin lejuar që ai të martohej me vajzën e familjes Daullja, shtetasen A.D, pasi dyshonin se Kastrioti do ta shfrytëzonte atë për prostitucion.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Berat, me vendimin nr. 54, datë 25.05.2001, e dënoi Dervishin me 25 vjet burg, për kryerjen e veprave penale të “Vrasjes me paramendim“, e kryer dy herë, si dhe “Mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak“, parashikuar nga nenet 78 dhe 278/2 të Kodit Penal.

Dervishi u arrestua më 12 tetor të 2011 në Itali me qëllim ekstradimin e tij, dhe sot drejtoria e Policisë së shtetit njoftoi se dje Dervishi i është dorëzuar përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, në aeroportin “Nënë Tereza”. Ekstradimi i djaloshit lindur në Syzes të Beratit u krye nga Milano i Italisë.
(sg/shqiptarja.com)