Dy shqiptarë të shpallur në kërkim ndërkombëtar janë arrestuar nga policia në Greqi dhe Serbi dhe janë ekstraduar drejt Shqipërisë. Njëri prej tyre është 30-vjeçari i identifikuar si K.R., i akuzuar si pjesëtar i një grupi kriminal me aktivitet trafikimin e lëndëve narkotike.
Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, Tiranë, në vitin 2019, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”. Shtetasi K. R. ka qenë pjesë e një grupi kriminal që merrej me trafikimin ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
Ndërsa i ekstraduari nga Serbia, Almario Vojoviç, 29 vjeç është i dënuar me 3 vjet burgim, për dy vepra të ndryshme penale.
Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga ZQK Interpol Tirana, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë e ka dënuar me 2 vjet burgim, për veprën penale ‘’Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve’’ dhe me 1 vit tjetër burgim, për veprën penale ‘’Mbajtja pa leje e armëve të ftohta’’. Shtetasi Almario Vojoviç, në vitin 2018, ka strehuar në banesën e tij dhe ka transportuar kundrejt pagesës, shtetas të huaj, për t’i ndihmuar që të kalonin kufirin në mënyrë të paligjshme. Gjithashtu, ky shtetas ka mbajtur pa lejen përkatëse, në ambiente publike, një dorezë metalike (përforcues grushti), e klasifikuar si armë e ftohtë.
Gjithashtu, është ekstraduar nga Shqipëria drejt Italisë, shtetasi Klodjan Hajderlli, 43 vjeç, banues në Elbasan, i arrestuar më parë nga shërbimet e DVP Elbasan, për këtë qëllim. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, në muajin mars të vitit 2022, pasi autoritetet gjyqësore italiane e kanë dënuar me 8 vjet burgim për veprën penale “Shkelja e ligjit mbi narkotikët ”, nga të cilat i kanë mbetur për të kryer edhe 5 vjet.