Një tjetër person i rrezikshëm është vënë në pranga dhe ekstraduar drejt Shqipërisë nga Greqia. Sipas njoftimit të policisë personi është Marinel Demiri, 39 vjeç, banues në Pojan të Korçës, i cili është arrestuar nga policia greke me qëllim ekstradimi. Për Demirin ka pasur një urdhër-arrest ndërkombëtar të lëshuar nga Interpoli, pas vendimit të Gjykatës së Apelit Tiranë.

Demiri është dënuar me 5 vjet e 6 muaj burg për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, ndërsa i kanë mbetur për të vuajtur edhe 4 vjet, 5 muaj e 18 ditë burg.

Ngjarja e rëndë për të cilën është dënuar 39-vjeçari ka ndodhur në fshatin Pojan, ku ai është përfshirë në një konflikt me sende të forta. Si pasojë e përplasjes ka humbur jetën shtetasi A. Z., 75 vjeç, i cili kishte ndërhyrë për të ndihmuar të birin gjatë sherrit me një grup të rinjsh.

"Policia shqiptare në bashkëpunim me Interpol Tiranën dhe autoritetet greke vijojnë punën për lokalizimin dhe ekstradimin e personave të tjerë të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Në vijim të bashkëpunimit të Drejtorisë së Interpolit me zyrat homologe, për kapjen dhe ekstradimin e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, është arrestuar në Greqi shtetasi shqiptar Marinel Demiri, 39 vjeç, banues në Pojan, Korçë. 39-vjeçari u arrestua nga autoritetet policore greke me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, në zbatim të urdhër-arrestit ndërkombëtar të lëshuar nga Drejtoria e Interpolit, pasi Gjykata e Apelit Tiranë e ka dënuar me 5 vjet e 6 muaj burgim, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”. (I kanë ngelur për të vuajtur dhe 4 vjet, 5 muaj e 18 ditë)."-thuhet në njoftimin e policisë.