Skafisti i tragjedisë së 9 janarit në Otranto, Elton Tafili është ekstraduar nga drejtësia italiane për të vuajtur dënimin në Shqipëri me 20 vite burg.
 
Elton Tafili është shpallur fajtor nga Gjykata në Shqipëri dhe u dënua me 20 vite burg për tragjedinë, pasi nga përmbysja e gomones në 9 janar të vitit 2004 në Otranto humbën jetën 21 persona.
 
Këto persona kishin paguar nga 1500 Euro trafikantëve për të shkuar në Itali në mënyrë të jashtëligjshme.

Elton Tafili ishte shpallur në kërkim pas vendimit të gjykatës, ndërsa u arrestua vitin e kaluar në Milano, ndërsa dje është ekstraduar drejt Shqipërisë nga Italia.
 
 

Deklarata e policisë
Më datën 10.02.2017, u krye ekstradimi nga Milano/Itali drejt vendit tonë, i shtetasit shqiptar, Elton TAFILI, 43 vjeç, në Vlorë.
 
Shtetasi TAFILI është shpallur në kërkim pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, me vendimin nr.13 datë 24.01.2005, ndryshuar pjesërisht me Vendimin nr.461 datë 27.12.2005 të Gjykatës së Apelit Vlorë, i lënë në fuqi me Vendimin nr.536, datë 22.07.2007, duke vendosur përfundimisht dënimin me 20 vjet burg, për kryerjen e veprës penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijëve”, parashikuar nga neni 298/3, i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.
 
Përmbledhje e ngjarjes së ndodhur:
 
Më datë 09.01.2004, shtetasi në kërkim TAFILI së bashku me shtetasit A RR., A.A, V. R, A. B dhe H. T, në afërsi të Gadishullit të Karaburunit, kanë organizuar trafikimin drejt Italisë, të disa shtetasve shqiptarë (63 persona). Këto shtetas kishin paguar nga 1500 Euro për person, shtetasve të lartpërmendur, për të shkuar në Itali në mënyrë të jashtëligjshme.
 
Ndërsa gomonia ka dalë në ujrat territorialë të Republikës së Shqipërisë, në drejtim të Italisë, ajo është përmbytur duke shkaktuar vdekjen e 21 shtetasve.
 
Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Romën, u bë i mundur arrestimi i tij në Itali, duke u finalizuar me ekstradimin e tij drejt vendit tonë.

 

dy.b/shqiptarja.com