“Po përgatitemi prej shumë vitesh. Na duhen njerëzit e duhur.” Kështu e përshkruan Ulrich Siegmund strategjinë e AfD-së, partisë së djathtë radikale gjermane, për të marrë pushtetin në Saksoni-Anhalt, një nga landet e ish-Gjermanisë Lindore.
Kur Siegmund doli në emisionin e Markus Lanz, një nga programet politike më me ndikim në televizionin gjerman, ai në fakt tregoi hapur atë që AfD po bën prej vitesh. Partia ka punuar sistematikisht për të fituar terren në Saksoni-Anhalt, jo vetëm përmes politikës së madhe, por duke hyrë në jetën e përditshme të komuniteteve lokale.
Një festë familjare në një fshat, një aktivitet i quajtur “festa e demokracisë” në një tjetër, ndërsa fundjavave organizohen shëtitje me motorët e vjetër Simson, shumë të përhapur dikur në Gjermaninë Lindore komuniste dhe që sot ngjallin nostalgji për atë periudhë. Paralelisht, partia ka investuar në trajnimin e vazhdueshëm të drejtuesve dhe aktivistëve të saj.
“Fakti që jemi kthyer në një lëvizje masive nuk ndodhi vetvetiu”, thotë Siegmund, të cilin mbështetësit e quajnë “Ulli”.
Ndërsa partitë tradicionale po bëheshin gjithnjë e më pak të pranishme në këto zona, AfD bëri të kundërtën: u mobilizua. Studioi strategjitë e lëvizjeve të tjera populiste dhe të së djathtës radikale, nga MAGA e Donald Trump në Shtetet e Bashkuara, te e djathta austriake e Herbert Kickl dhe modeli i Viktor Orbánit në Hungari.
Objektivi ishte të fitonte pikërisht territoret e ish-Gjermanisë Lindore, zona që, sipas perceptimit të shumë banorëve të tyre, partitë e tjera as nuk janë përpjekur seriozisht t’i kuptojnë dhe as t’i përfaqësojnë.
Një program që flet për “remigrim”, ndarje dhe kthim te modeli prusian
Dega e AfD-së në Saksoni-Anhalt, së bashku me atë të landit fqinj të Turingisë, konsiderohet ndër më radikalet e partisë në të gjithë Gjermaninë.
Nëse bashkëkryetarja kombëtare e AfD-së, Alice Weidel, mund të mendojë në të ardhmen për një moderim të imazhit të partisë, të ngjashëm me transformimin që Giorgia Meloni i bëri së djathtës italiane për ta bërë më të pranueshme në qeverisje, në Saksoni-Anhalt një skenar i tillë as që diskutohet.
Dega lokale është klasifikuar si “qartësisht ekstremiste” nga Verfassungsschutz, shërbimi gjerman për mbrojtjen e Kushtetutës, i cili monitoron organizatat që konsiderohen kërcënim për rendin demokratik.
Se çfarë kërkon kjo AfD dhe si do të qeveriste nëse merr pushtetin, përshkruhet në Manifestin e Magdeburgut, programi i miratuar në prill.
Një nga autorët kryesorë është Hans-Thomas Tillschneider, një prej ideologëve më radikalë të AfD-së, i njohur edhe për qëndrimet e tij pro-Putinit dhe i konsideruar si njeriu që ushtron ndikim të madh politik mbi Siegmundin.
Gazeta britanike The Times e përmblodhi programin me dy fjalë: “dëbim dhe segregim”.
Në qendër është koncepti i “remigrimit”, term që e djathta radikale evropiane përdor për kthimin në vendet e origjinës të një pjese të emigrantëve dhe personave me prejardhje të huaj.
Por programi shkon më tej. Ai kërkon rikthimin te një model më autoritar dhe tradicional prusian të edukimit. “Më shumë Bismarck, më pak Hitler”, thotë shpesh Siegmund.
Parashikohet gjithashtu ndryshimi i sistemit të arsimit të detyrueshëm dhe krijimi i klasave të veçanta për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe për fëmijët e refugjatëve. Për këta të fundit, logjika e dokumentit është se ndarja do të ishte e përkohshme, pasi ata më pas do të largoheshin nga Gjermania.
Programi kërkon gjithashtu që gjermanët të “mendojnë gjermanisht” dhe që shteti të favorizojë një art që forcon atë që dokumenti e quan “shpirti kombëtar”.
Në të përfshihet edhe rivendosja e marrëdhënieve të plota me Rusinë, edhe pse politika e jashtme nuk është kompetencë e një qeverie rajonale si ajo e Saksoni-Anhaltit.
E djathta ekstreme nuk është një fenomen i ri në Gjermani
Gjermania është përballur edhe më parë me parti që kanë tentuar të ringjallin ide të ekstremit të djathtë dhe të sfidojnë kulturën politike antinaziste të ndërtuar pas Luftës së Dytë Botërore.
Në vitin 1953 u ndalua Sozialistische Reichspartei, një parti e krijuar nga figura të lidhura me ideologjinë hitleriane. Në vitet ’80 dhe ’90 u shfaqën Republikaner, ndërsa më vonë NPD-ja neonaziste. Asnjëra nuk arriti të shndërrohej në një forcë kombëtare të përmasave që ka sot AfD.
Alternative für Deutschland u krijua në vitin 2013, gjatë krizës së euros. Në fillim nuk ishte partia e sotme. Themeluesit e saj ishin kryesisht profesorë dhe ekonomistë konservatorë kundër euros, të drejtuar nga Bernd Lucke. Ata kundërshtonin mënyrën se si funksiononte monedha e përbashkët dhe mendonin, ndër të tjera, se vende si Italia duhej të largoheshin nga euroja dhe të riktheheshin te monedhat kombëtare.
Që atëherë kishte dyshime se partia mund të shndërrohej në një mjet për hyrjen e së djathtës ekstreme në politikën kryesore gjermane.
Kriza e refugjatëve sirianë në vitet 2015-2016 ndryshoi gjithçka. Krahu nacionalist dhe radikal fitoi kontrollin e partisë, ndërsa profesorët që e kishin themeluar u larguan.
Më pas në krye doli Alice Weidel, më pragmatike në mënyrën se si komunikon publikisht. Nën drejtimin e saj, AfD u rrit nga rreth 9% në 21% në zgjedhjet e fundit. Sot sondazhet e nxjerrin madje si forcën e parë politike në Gjermani, përpara CDU-së konservatore.
Pse AfD është kaq e fortë në ish-Gjermaninë Lindore
Bastionet kryesore të AfD-së ndodhen në Lindje. Në fakt, pa ish-Gjermaninë Lindore, partia vështirë se do të kishte marrë formën dhe fuqinë që ka sot.
Pas ribashkimit të Gjermanisë në vitin 1990, në këto territore filluan të ndërtonin rrjetet e tyre figura të së djathtës radikale si Björn Höcke dhe Alexander Gauland.
Ideja ishte se në shumë zona të ish-RDGJ-së ekzistonte një boshllëk që nuk gjendej në Perëndim. Strukturat tradicionale të shoqërisë civile ishin më të dobëta: sindikatat, kishat, shoqatat dhe organizatat lokale nuk kishin të njëjtën peshë si në Gjermaninë Perëndimore.
Sipas strategjisë së së djathtës radikale, në Perëndim këto struktura do ta kishin penguar që në fillim ngritjen e një projekti të tillë politik. Në Lindje, hapësira ishte më e madhe.
Plani ishte që fillimisht të hidheshin rrënjë në periferinë lindore, të krijohej një bazë e qëndrueshme elektorale dhe prej andej të fillonte zgjerimi drejt pjesës tjetër të vendit.
Dhe në një masë të madhe kjo strategji funksionoi. Sot AfD nuk është më vetëm një fenomen i Lindjes. Në shumë lande të Gjermanisë Perëndimore ajo merr rreth 20% të votave, përfshirë edhe Bavarinë e pasur.
A mund të ndalohet AfD?
Rritja e saj ka hapur një debat që deri pak vite më parë do të dukej i paimagjinueshëm: a duhet të shpallet AfD e jashtëligjshme?
Dhjetë ditë më parë, dy figura të rëndësishme të politikës gjermane, ministri i Mbrojtjes Boris Pistorius nga socialdemokratët dhe politikani i të Gjelbërve Cem Özdemir, u shprehën në favor të ndalimit në nivel rajonal të partive që klasifikohen zyrtarisht si “qartësisht ekstremiste”.
Një masë e tillë do të godiste drejtpërdrejt degën e AfD-së të drejtuar nga Siegmund.
Kushtetuta gjermane lejon ndalimin e partive që synojnë të përmbysin rendin demokratik. Por këtu lind dilema politike: a mund të ndalosh një parti që mbështetet nga rreth një e katërta e elektoratit?
Gjermania është thellësisht e ndarë për këtë çështje.
Historiani i njohur i nazizmit Norbert Frei mendon se procedura për ndalimin e AfD-së “duhej të kishte nisur prej kohësh”. Sociologu Matthias Quent paralajmëron, nga ana tjetër, se izolimi moral i partisë nuk po funksionon më si dikur.
Ekziston edhe një pyetje tjetër, ndoshta edhe më e rëndësishme për të ardhmen politike të Gjermanisë: a do të vazhdojë CDU-ja ta mbajë AfD-në jashtë çdo koalicioni?
Deri tani partitë tradicionale kanë zbatuar atë që në politikën gjermane quhet “kordoni sanitar”: refuzimin për të bashkëpunuar me AfD-në. Por brenda CDU-së, botës së biznesit dhe medias ka gjithnjë e më shumë zëra që mendojnë se, me rritjen e vazhdueshme të AfD-së, një bashkëpunim mund të bëhet në një moment i pashmangshëm.
Alice Weidel, Björn Höcke dhe “Ulli” Siegmund
Edhe vetë AfD nuk është një parti homogjene. Brenda saj ekzistojnë figura dhe rryma të ndryshme, megjithëse të gjitha kanë lëvizur dukshëm djathtas krahasuar me partinë e krijuar në vitin 2013.
Alice Weidel përfaqëson fytyrën më pragmatike të partisë. Ajo është lesbike, e martuar me një grua dhe ka dy fëmijë – një mënyrë jetese që bie në kontrast të fortë me pikëpamjet e krahut më radikal të AfD-së për familjen dhe shoqërinë.
Në skajin tjetër qëndron Björn Höcke, një nga figurat më radikale të partisë. Ai është dënuar për përdorimin publik të sloganit nazist “Alles für Deutschland” – “Gjithçka për Gjermaninë”, slogan i përdorur historikisht nga trupat SA të Partisë Naziste.
Höcke përfaqëson fytyrën më të errët ideologjike të AfD-së, por nuk ka aftësinë e Siegmundit për t'u paraqitur si një politikan i afërt dhe i zakonshëm.
Ulrich “Ulli” Siegmund është ndryshe. Ai buzëqesh, komunikon lehtë dhe ndërton një imazh pozitiv që arrin të zbusë edhe fytyrën publike të partisë.
Dhe pikërisht këtu qëndron një nga paradokset më të mëdha të AfD-së së sotme: politikani që duket më i moderuar, më miqësor dhe që po arrin suksesin më të madh elektoral është, pas Björn Höckes, njëkohësisht edhe një nga figurat më radikale të partisë./CorrieredellaSera









Komente
Komento