SARANDË- Ervis Lami, një emër i njohur i botës së krimit, është në kërkim policor për atentatin e një dite më parë në Sarandë. Zanafilla e ekzekutimit të Artan Myrtajt dyshohet të jetë një ngjarje e korrikut të vitit të shkuar, ku ai ishte përfshirë. Atë ditë, dy të rinj nga Kamza, miq të Lamit, mbetën të plagosur. Një seri ngjarjesh të dhunshme do të pasonin, me emrin e Lamit që do të shfaqej si i dyshuar edhe për vrasjen e Isuf Jaçajt, një tjetër episod i sagës së hakmarrjes.

Forca të shumta të Policisë së Tiranës, Vlorës dhe RENEA-s zbarkuan në banesën e tij dhe të familjarëve në Kamëz, por nuk arritën të gjenin asgjë. Burimet thanë se në banesë ishin vetëm prindërit e tij, ndërsa nuk dihet vendndodhja e Lamit. Report Tv mëson se 20 kontrolle për persona që mund të kenë dijeni apo lidhje me atentatin ndaj Tanit të Rruzhdiut u ushtruan edhe në qytetin e Sarandës.

Grupi hetimor është përqendruar në këqyrjen e pamjeve të kamerave të sigurisë për të gjurmuar motorin me të cilin lëvizën dy autorët e maskuar me skafandra. Burime të besueshme thanë se në vendin e ngjarjes janë gjetur 16 gëzhoja plumbash dhe është qëlluar me dy armë të ndryshme.

Në atentat u plagos edhe kalimtari Xhevdet Skëndaj, 73 vjeç, i cili mori një plumb dhe po merr mjekim në Spitalin e Traumës. 44-vjeçari Artan Myrtaj, i cili u qëllua me breshëri të dielën në qendër të Sarandës, kishte vetëm pak javë që ishte liruar nga paraburgimi, pasi gjykata caktoi masën «detyrim paraqitjeje». Ai ishte arrestuar në korrik 2025 për plagosjen e dy të rinjve nga Kamza, Ernest Lame dhe Gëzim Hajdaraj. Ai kishte ndihmuar Ramadan Zoton, i cili plagosi dy të rinjtë nga Kamza.

Plagosja e dy të rinjve nga Kamza dyshohet se solli një sërë ngjarjesh kriminale në Sarandë, por që të gjitha janë të pazbardhura. Në tetor të vitit të kaluar u vra me tritol në makinë Isuf Jaçaj, babai i Klaus Jaçajt. Më pas u dogj lokali që Ramadan Zoto kishte dhënë me qira në Ksamil. Për shkak të kompleksitetit të ngjarjeve që kanë tronditur qytetin bregdetar, hetimet i kanë kaluar seksionit të Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Policisë së Vlorës.

Por ministri i Brendshëm, Ervin Demo, në takimin e parë me drejtorët e policive të qarqeve në vend, një ditë pas atentatit, kërkoi ngritjen e një task-force në qytet për hetimin e ngjarjeve kriminale. Burime pranë policisë i thanë Report Tv se ministri ka qenë i ashpër me Komisariatin e Sarandës, duke kërkuar edhe shkarkimin e niveleve drejtuese atje.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, nga ana e tij, ka urdhëruar ngritjen e një grupi të posaçëm, me ekspertët më të mirë të Departamentit të Policisë Kriminale dhe të Sigurisë Publike, për kryerjen e një rivlerësimi të plotë dhe të thelluar të situatës kriminale në rrethin e Sarandës, si dhe një rivlerësim të të gjithë zinxhirit drejtues të Komisariatit të Policisë Sarandë dhe të efektivëve të rolit bazë dhe të rolit të parë drejtues. Në bazë të performancës së tyre, do të ndërmerren veprimet e duhura. Kërkesa vjen 4 muaj pasi kryepolici Skënder Hita shkriu gjithë zinxhirin komandues për shkak të skandalit të ndërtimeve pa leje.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:56
Ekzekutimi i ‘Tanit të Rruzhdiut’, Hita: Do bëhet një rivlerësim i performancës së zinxhirit drejtues të Komisariatit të Policisë Sarandë

 

Foto: Artan Myrtaj

Vrasja e Artan Myrtajt dhe plagosja e një këmbësori në Sarandë kanë vënë në lëvizje strukturat më të larta të Policisë së Shtetit.

Një ditë pas ngjarjes së rëndë, me urdhër të kryepolicit Hita është ngritur një grup i posaçëm me ekspertë të Policisë Kriminale dhe të Sigurisë Publike, ndërsa ka nisur një rivlerësim i situatës kriminale në Sarandë dhe i performancës së strukturave të Komisariatit.

Njoftimi i plotë

Në vijim të masave të marra për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur paraditen e datës 20.09.2026, në qytetin e Sarandës, dhe pas analizës së bërë pasditen e djeshme nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit me drejtuesit e Komisariatit të Policisë Sarandë, ju informojmë se:

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar ngritjen e një grupi të posaçëm, me ekspertët më të mirë të Departamentit të Policisë Kriminale dhe të Departamentit të Sigurisë Publike, me qëllim kryerjen e një rivlerësimi të plotë dhe të thelluar të situatës kriminale në rrethin e Sarandës, në bashkëpunim me DVP Vlorë, stafin drejtues të Komisariatit të Policisë Sarandë dhe strukturat e tij hetimore.

Gjithashtu, po kryhet një rivlerësim i performancës së të gjithë zinxhirit drejtues të Komisariatit të Policisë Sarandë, si dhe i efektivëve të rolit bazë dhe të rolit të parë drejtues. Në bazë të performancës së tyre, do të ndërmerren veprimet e duhura.

Paralelisht, po punohet për krijimin e strukturave të specializuara për hetimin e krimeve të rënda dhe luftën kundër krimit të organizuar, si dhe për garantimin e mbështetjes së tyre me bazën e nevojshme logjistike.

Ndërkohë, në lidhje me ngjarjen, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet intensive hetimore, të koordinuara ngushtësisht me veprimet operacionale të shërbimeve të Policisë në terren.

Policia e Shtetit mbetet e angazhuar maksimalisht për zbardhjen e plotë të ngjarjes, identifikimin dhe nxjerrjen përpara drejtësisë të autorëve, si dhe për forcimin e mëtejshëm të sigurisë në territorin e Sarandës dhe në të gjithë vendin.

Ora 13:53
Atentati në Sarandë, Demo kërkon task-forcë dhe shkarkime! Në 'shënjestër' drejtuesit e komisariatit

1789894517_vrasjaeartanmyrtajt.JPG

Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, në takimin e parë me drejtorët e policive të qarqeve në vend, një ditë pas atentatit të rëndë në Sarandë, ka kërkuar ngritjen e një task force në qytet, për hetimin e ngjarjeve të fundit kriminale në qytet. Burime pranë policisë i thanë Report Tv se ministri Demo ka qenë i ashpër me komisariatin, duke kërkuar edhe shkarkim të niveleve drejtuese atje. 

Është e paqartë nëse kryepolici Skënder Hita do të ndërmarr në vijim një vendim për largimin nga detyra të shefit të komisariatit dhe shefave poshtë tij, vetëm për ngjarjen e vrasjes së Artan Myrtajt, në një kohë që gjatë muajve të verës në këtë qytet janë kryer disa operacione të suksesshme për rritjen e sigurisë dhe uljen e nivelit të krimit të organizuar. Pak javë më parë, një operacion me 20 masa sigurie për droge u përmbyll me arrestimin e plotë të tyre, përfshirë lënien në qeli të të gjithëve.

Ndërkohë, ministri Demo ka kërkuar nga të gjithë drejtorët e qarqeve në vend një analizë të plotë të punës, për të gjithë territorin, sidomos për sigurinë në shkolla.