Vlorë - Pas rreth tre orësh e 30 minutash përpjekje, zjarrfikësit kanë arritur të vënë nën kontroll dhe më pas të shuajnë flakët e zjarrit në fshatin Bunavi, në bashkinë Vlorë.
Zjarri u shfaq rreth orës 14:00 dhe, i favorizuar nga era dhe bimësia e dendur, u përhap me shpejtësi, duke djegur dhjetëra rrënjë ullinj shekullorë, pemëtari dhe sipërfaqe me bar për bagëtitë.
Flakët rrezikuan seriozisht edhe disa banesa, ndërsa banorët iu bashkuan rreth 50 forcave zjarrfikëse dhe forcave të tjera në terren për të parandaluar përhapjen e zjarrit drejt shtëpive.
Sipas shefit të repartit të shërbimit zjarrfikës, Luan Kapaj, terreni i vështirë dhe bimësia e dendur e bënë ndërhyrjen të vështirë.
"Bimësia e dendur dhe era e fortë bëri flakët t'u afrohen banesave, por nuk ka rrezik", tha ai.
Gjatë operacionit u mbajtën nën monitorim të vazhdueshëm banesat, ndërsa u dogjën edhe balla bari të destinuara për bagëtitë. Dëmet më të mëdha raportohen te ullinjtë shekullorë, ndërsa autoritetet vijojnë monitorimin e zonës për të shmangur riaktivizimin e flakëve.
Banorët treguan se situata ka qenë e vështirë dhe se kanë përjetuar momente frike, veçanërisht për shkak të rrezikut që flakët t'u afroheshin banesave.
"Jemi trembur, nuk kemi ç'të bëjmë. Aty ka edhe shtëpi, atje janë edhe nja dy banesa. Ka edhe stane", tha një banor.
Një tjetër banor, i cili ka pësuar dëme nga zjarri, tha:
"Kam ullinj aty, kam 250 rrënjë."
Përveç banesave, rrënjëve të ullirit, pemëve frutore dhe bimësisë së zonës, si pasojë e flakëve janë raportuar edhe shpërthime të municioneve luftarake. Bëhet fjalë për municione që kanë mbetur në zonë nga periudha e trazirave të vitit 1997.
Pas zjarrit të rënë në Bunavi dhe Grabian, një banor i zonës pretendon se zjarri është i qëllimshëm. Ai thotë se flakët në fshat u përhapën si pasojë e erës.
“Janë djegur ullinjtë, pemëtari, të gjitha. Është zjarr i qëllimshëm, nuk ndizet zjarri pa vënë dorë njeriu. Flakët këtu i solli era”, thotë Xhevahir Malollari








Komente
Komento