DURRES- Vrasje për hakmarrje ndaj përdhunimeve që ka bërë. Kjo është pista kryesore që po heton Policia dhe Prokuroria e Durrësit, pas vrasjet së manjakut seksual dhe përdhunuesit Arben Tollia. Lajmi është bërë i ditur nga grupi hetimor që është ngritur për të hetuar ekzekutimin me 10 plumba të 55-vjeçarit Tollia që kishte vetëm 15 ditë që ishte liruar nga burgu.

Ndërkaq, policia e qytetit bregdetar ka shoqëruar më shumë se 15 persona për vrasjen e Tollisë. Shumë prej të shoqëruarve, janë marrë në pyetje si persona që mund të kenë informacione për ngjarjen, ndërsa të tjerë janë pyetur për të dëshmuar në lidhje me jetën që bënte 55-vjeçari pas lirimit nga qelitë e burgut të Vaqarrit.
 
PISTAT E HETIMIT
Vrasja e Tollisë është bërë vetëm dy javë pas lirimit të tij nga burgu, ku kishte shlyer 12 vite për kryerje të marrëdhënieve seksuale me dhunë. Kjo është njëra pistë e hetimit sipas policisë, ndërsa pista tjetër ka të bëjë me lidhjet e dyshuara mes Tollias dhe grupeve kriminale të Durrësit dhe Shijakut. Të shoqëruarit mësohet të jenë banorë të zonës ku jetonte Tollia, por edhe persona që lidhen me konfliktet dhe lidhjet intime të tij. Nga dëshmitë e dhëna, mësohet se Tollia ka qenë duke shkuar në banesën e ish-bashkëshortes kur është qëlluar për vdekje. Sipas dëshmitarëve dhe familjarëve të 55-vjeçarit, disa metra para tij ka qenë djali i cili nuk ka pësuar dëmtime, por ka qenë dëshmitar okular i vrasjes së babait të tij.
 
LIRIA DHE VRASJA
I konsideruar shpesh si “Kazanova”, për shkak të historive të lidhjeve të shumta intime që pretendonte se kishte me qindra femra, Tollia është qëlluar plot 10 herë me automatik rreth orës 22:40 të mbrëmjes së dy ditëve më parë, fare pranë banesës së tij ku ndodhet edhe shkolla 9-vjeçare e Xhafzotajt.

55-vjeçari ka dalë nga burgu në datën 11 maj, ku i ka shlyer 12 vite për përdhunim. Tollia ishte arrestuar në vitin 2005 për marrëdhënie seksuale me dhunë, ndërsa prokuroria administroi kallëzimet e 15 femrave. Tollia i fuste në kurth femrat dhe pasi kryente marrëdhënie seksuale me to, i fotografonte dhe regjistronte duke u bërë presione me to. Femrat ishin kryesisht nga Tirana, Durrësi dhe Elbasani dhe kryesisht studente.


Shkrimi u përditësua në 28 maj 2014
(d.a/shqiptarja.com)