ATSH/ Miranda Sadiku.- Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në prag të stinës së verës dhe rritjes së temperaturave ka rritur masat në Elbasan.

Inspektorët e AKU-së së Elbasanit ushtruan të mërkurën kontroll në tregun e bulmetit ku morën analizat e djathit për të parë cilësinë e tij.

Drejtori i AKU-së, Zenun Bullari gjatë inspektimit tha se rritja e temperaturave ka bërë që të shtohen kontrollet kryesisht tek prodhimet e konsumit me qëllim që konsumatori të blejë produktin e duhur dhe të ruajmë sigurinë e tij.

"Në këtë kuadër sot në tregun e madh të bulmetit jemi duke marrë analizat e djathit për të analizuar prodhimin e tij, dhe në rast se ai prodhohet me niseshte, tregtarët do të penalizohen", tha ai. Bullari ka përgëzuar tregtarët të cilët tashmë janë pajisur me çertifikatë. Por sipas tij, kjo nuk do të thotë që ndaj tyre nuk do të ushtrohen kontrolle të produktit që ata nxjerrin në treg.

Një ditë më parë AKU Elbasan, ushtroi kontroll në një punishte ku prodhoheshin produkte të mishit, ku bëri të mundur edhe asgjësimin e 60 kilogramëve qofte, pasi nga analizat rezultoi se ishin jashtë kushteve të përshtatshme për konsum. Në ditët në vijim AKU do të kryejë kontrolle në fast - foode, punishte sallami, etj.