ELBASAN, 5 Qershor /ATSH-Miranda Sadiku /.-Sektori kundër krimit ekonomik e financiar në Elbasan, ka finalizuar operacionin e koduar
" I Pandreqshmi" duke bërë të mundur arrestimin e sekserit të universitetit " Aleksandër Xhuvani" si edhe shpallur në kërkim një tjetër person. Burime të Policisë bëjnë të ditur se " këtë të premte oficerë të krimit ekonomik në bashkëpunim edhe me Sektorin për Korrupsionin në Drejtorinë e Policisë së Shtetit, kanë bërë ekzekutimin e urdhërit të ndalimit të lëshuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan e cila ka caktuar masën e sigurisë "Arrest me burg" për shtetasin Oltion Toçi, 34 vjeç, banues në Elbasan. 34 vjeçari në rolin e sekserit për një periudhë kohe 6 mujore , në bashkëpunim me shtetasin B.K vjeç 35, banues në Elbasan, i shpallur në kërkim, ka ushtruar ndikim të paligjshëm kundrejt përfitimit tek stafi Akademik në Universitetin "Aleksandër Xhuvani" në Elbasan, gjatë zhvillimit të provimeve të studenteve, të cilët kërkonin një notë kaluese ose një notë më të mirë .
Në këmbim të këtyre favoreve që kërkonin studentët Oltion Toçi u kërkonte atyre një pagesë që varjonte nga 13.000 deri në 15.000 lekë të reja për çdo provim. Mësohet se këtë skemë korruptive 34 vjeçari e kishte të mirëorganizuar dhe e kryente në bashëpunim edhe me persona të tjerë, që sipas Policisë janë pedagogë të universitetit, por që për arsye hetime nuk mund të bëjnë të ditur asnjë emër deri në zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Policia po vijon hetimet për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet kriminal.Materialet i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan pasi 34 vjeçari akuzohet dhe do të hetohet për veprat penale "Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike" si dhe "Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike, e kryer në bashkëpunim".
Operacioni " Ciklisti", arrestohet 41 vjeçari tregëtonte mallra kontrabandë
Transportonte dhe tregëtonte mallra kontrabandë, Policia ndalon 41 vjeçarin Altin Leka nga Elbasani. Ngjarja ka ndodhur të premten në mesditë, ku falë një operacioni të koduar " Ciklisti", Policia ka vënë në pranga 41 vjeçarin, i cili akuzohet për veprën penale " tragëtim i mallrave kontrabandë".
Policia sqaron se " gjatë një kontrolli të ushtruar në dyqanin e tij dhe më pas në banesën e tij u gjet dhe u sekuestrua një sasi prej 200 kilogram kafe e pa amblazhuar me mbishkrimin "Medission kafe", e ardhur nga Italia. Nga veprimet e para hetimore rezultoi se ky shtetas, nuk dispononte asnjë faturë tatimore dhe dyshohet se ky mall është futur kontrabandë në vëndin tonë. Gjithashtu në dyqanin që tregtonte dhe reklamonte kutitë e kafese, u konstatua se ky shtetas e ushtronte këtë aktivitet pa liçencë.








