/ ATSH-Miranda Sadiku/ - Rruga që lidh Elbasanin me qytetin e  Cerrikut dhe më pas me hidrocentralin e  Banjës tashmë ka hyrë në projektin e Autoritetit Kombëtar Rrugor, me qëllim realizimin e një investimi te rendesishem. Ka më shumë se 25 vjet që ky aks rrugor është tejet i amortizuar, por duket se tashmë do të nisë realizimi i një investimi në 23 kilometrat e këtij aksi rrugor shumë të qarkullueshëm.

Për këtë qëllim, përfaqësues të Autoritetit Kombëtar Rrugor, mes tyre edhe vetë drejtuesi Dashamir Gjika, kane zhvilluar një takim me pushtetarë vendore për të diskutuar rreth këtij projekti, ku përfshihet sistemimi dhe asfaltimi i këtij aksi rrugor, i cili do t'i shërbejë një komuniteti prej rreth 100 mijë banorësh. Gjatë këtij takimi u diskutua për futjen për herë të parë në Shqipëri të asaj që u cilësua nga Gjika si "rruga inteligjente". Sipas kompanisë prezantuese, një rrugë e tillë aplikohet në vendet më të zhvilluara, ajo nuk ka kosto më të lartë se asfalti ekzistues dhe ofron një garanci 10 vjeçare.

Të pranishëm në këtë takim, edhe ambientalistët vlerësuan se asfalti me përbërje gome është më i respektueshëm ndaj mjedisit, më pak i zhurmshëm, më elastik dhe më i sigurtë. Specialistët thonë se një teknologji e tillë do të ulë me rreth 40 për qind numrin e aksidenteve.