Kryetari i Grupit Parlamentar Taulant Balla, së bashku me deputetin Arben Kamami dhe Kryetarin e Bashkisë Qazim Sejdini folën me banorët për domosdoshmërinë e investimit në këtë aks rrugor, duke u njohur edhe me prodhimet e tyre. “Në tre projektet kryesore të investimit në zonat rurale, ky është projekti prioritar i cili u shërben 20 mijë banorëve. Për më tepër, në këtë zonë janë 60 ha sera, prodhimet e të cilave duhet sa më shpejt të dalin në pikat e grumbullimit.
Ky është një kantier prodhimi bujqësor, i cili e ka të domosdoshëm investimin për t’u lidhur me infrastrukturën rrugore”, tha Balla. Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, theksoi se investimi në këtë rrugë i shërben jo thjesht lëvizjes, por mbi të gjitha prodhimeve të kësaj zone: “Ky është një premtim i kahershëm dhe nuk është thjesht të bëjmë një rrugë se do hyjë një makinë, por kjo ka të bëjë me prodhimet bujqësore, është hambari i Elbasanit. Problemi është që ne të lobojmë ta marrim këtë investim. Kjo është një kërkesë e qytetarëve, por është dhe një kërkesë e imja.”
Deputeti Arben Kamami vuri në dukje vullnetin dhe zotësinë e banorëve të Shirgjanit për të punuar dhe për të rritur mirëqenien e tyre, traditë të cilën e kanë trashëguar: “Në bashkinë Elbasan kjo është zona që ka bujqësi intensive. Edhe në kohën para viteve ’90, kjo zonë furnizonte të gjithë qytetin e Elbasanit dhe zonat përreth me prodhime bujqësore, sidomos perime dhe fruta. Këtu ka nevojë për shtetin, që produktet e tyre të arrijnë sa më shpejt qoftë tregun e Elbasanit, qoftë tregjet e tjera.” Bashkia ka gati projektin dhe pritet vetëm financimi, i cili do t’u shërbejë 20 mijë banorëve, financim i cili kap vlerën e rreth 5 milionë eurove.












