Vazhdojnë protestat për rrugën e banorëve të fshatit Shelcan në Elbasan. Rruga pësoi rrëshqitje dhe dëmtime të mëdha duke u bërë e pakalueshme gjatë reshjeve të ditëve të fundit.
 
Për pasojë, veç banorëve të këtij fshati, është e bllokuar e gjithë zona e shpatit e përbërë nga rreth 10.000 banorë. Banorët shprehen se ankesat e tyre nuk janë marrë në considerate dhe se nuk u është dëgjuar zëri i tyre.
 
Banorët thonë se rruga provizore ka dëmtuar ujësjellësin dhe më e keqja se u janë shembur dhe dëmtuar shtëpitë. Ata pohojnë se kanë njoftuar pushtetin vendor, emergjencat dhe deputetët, por deri më tani askush nuk i dëgjon.
 
 
Për kryetarin e këshillit të komunës Lutfi Lala rruga është mjaft e rëndësishme, jo vetëm për banorët e Shelcanit, por edhe për komunat Gjinar dhe Zavalinë të cilët janë të izoluar krejtësisht. Sipas tij po pengohet procesi i mësimdhënies dhe i transportit të banorëve për problemet e përditshme që ata kanë.
 
Kalvari i banorëve të zonës duket se do të vazhdojë gjatë pasi autoritetet përkatëse janë mjaftuar me një zgjidhje provizore e cila sipas banorëve dhe pushtetarëve lokalë nuk qëndron.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)