Qytetit të Elbasanit i janë shtuar 350 pemë të reja duke shtuar  hapësirat  e  gjelbra të qytetit të  në kuadër të javës së pyllëzimit. Bashkia e Elbasanit në bashkëpunim me institucione të tjera vendore dhe shoqata nisi aksionin e pyllëzimit i cili do të vijojë edhe në ditët në vazhdim. 

Punonjësit e bashkisë u ndanë në pika të ndryshme të qytetit për të dhënë kontributin e tyre për mbjelljen e pemëve në qytet. 
Nënkryetari i Bashkisë Z. Klevis Xhoxhi bashkë me përfaqësues të Inspektoriatit të Mjedisit dhe shoqatës Tjetër Vizion  nisën mbjelljen e pemëve në rrugën “Borodin Mitarja”.
Sipas Z. Xhoxhi, përveç pyllëzimit në çdo cep të Bashkisë Elbasan, gjithashtu qytetit do t’i shtohen dhe  tre lulishte të reja:

[gallery]25641[/gallery]

“Bashkia e Elbasanit ka marrë masat që të pyllëzohet i gjithë qyteti: Të ndërtojmë, “një kurorë të gjelbër” rreth këtij qyteti, duke ulur nivelin e lartë të ndotjes së ajrit.
Kjo “kurorë e gjelbër” do të shërbejë si një oksigjen i munguar për qytetarët.
Një falenderim i veçantë shkon për të gjithë institucionet dhe shoqatat të cilat i janë bashkangjitur kësaj nisme për pyllëzimin dhe mbjelljen e pemëve në qytetin e Elbasanit.

E veçanta e kësaj jave është që Bashkisë së Elbasanit i shtohen edhe tre lulishte të reja, konkretisht një lulishte tek kthesa e Krastës, një lulishte në unazën lindore të qytetit dhe një tek kryqëzimi i Cërrikut.”

Nënkryetari i Bashkisë u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që gjatë këtij muaji dhe gjatë kësaj javë të mbjellin sa më shumë bimë, çdo qytetar të japë kontributin e tij duke mbjellë  sa më shumë pemë për një gjelbërim dhe një mjedis sa më të pastër për të gjithë.

a.m/Shqiptarja.com