/ATSH-Miranda Sadiku/.- Grupi i 17-të i vullnetarëve të Korpusit të Paqes ka bërë sot betimin në teatrin "Skampa" të Elbasanit, në prani të Kryetarit të Bashkisë, Qazim Sejdini dhe drejtorit të këtij korpusi, Earl Wall.
Në fjalën e tij, Sejdini shprehu vlerësimin për punën e madhe që vullnetarët e paqes bëjnë në Shqipëri dhe veçanërisht në qytetin e Elbasanit duke ndihmuar, siç tha ai, në përpjekjet për zhvillimin e vendit.
Drejtori i Korpusit të Paqes, Wall i cili drejtoi ceremoninë e betimit, u shpreh se pas kaq vitesh në Shqipëri ka mësuar ta dojë këtë vend dhe të bëhet pjesë e tij.
53 vullnetarët e rinj pas 10 javëve të kaluara në Elbasan kanë mësuar gjuhën shqipe dhe zakonet e vendit tonë. Tashmë ata do të vijojnë misionin e tyre në shkolla, qendra shëndetësore, institucione, në të gjithë Shqipërinë.
I themeluar në vitin 1961 nga Presdenti John F. Kennedy, misioni i Korpusit të Paqes është të kontribuojë në nevojat për zhvillim të vendeve pritëse, si dhe të promovojë mirëkuptim ndërkulturor midis amerikanëve dhe popujve të tjerë.