ELBASAN, 29 Dhjetor /ATSH-Miranda Sadiku /- Reshjet e shiut dhe dëborës që ranë një natë më parë kanë shkaktuar probleme në disa akse kombëtare dhe rurale të qarkut të Elbasanit. Në një deklaratë për mediat, Shtabi i Emergjencave Civile në Prefekturën e qarkut ka bërë të ditur edhe akset më problematike të verifikuara nga vetë specialistët e këtij shtabi në vendet ku ka pasur edhe probleme Në deklaratë thuhet se "problem si pasojë e reshjeve të dëborës dhe shirave ka pasur në aksin kombëtar Rrogozhinë - Qafë Thanë, konkretisht në segmentin Papër - Paulesh si pasojë e rrëshkitjes së dheut, në segmentin Ura e Murrashit - Librazhd, ku ka pasur rënje materialesh të ngurta, segmenti Librazhd - Qukës (Dragostunj), si pasojë e reshjeve të dëborës, segmenti Prrenjas - Qafë Thanë, me reshje dëbore, ku për disa orë një natë më parë në këtë aks qarkullimi ishte i bllokuar, si rezultat i lëvizjes së mjeteve pa zinxhir.Mësohet se me ndërhyrjen e firmës që mirëmban segmentin, gjendja u normalizua në orët e vona të natës.
Sipas informacioneve të marra mëngjesin e sotëm në këtë aks qarkullimi është normal. Mësohet se vazhdon të jetë i bllokuar qarkullimi si pasojë e trashësisë së doborës që arrin 50 centimetra aksi nacional Librazhd - Steblevë. Në rrethin e Librazhdit si pasojë e reshjeve të dëborës ka difekte në sistemin e shpërdarjes së energjisë elektrike, ku janë pa energji komunat Orenjë, Lunik, Steblevë, Stravaj, Qukës dhe qyteti i Librazhdit. OSSHE po punon për riparimin e difekteve për furnizimin me energji.
Ndërsa, në komunën Qendër Librazhd është bllokuar aksi rural Togëz - Qarrishtë. Në komunën Rrajcë janë bllokuar akset rurale Rrajcë - Skënderbej dhe Rrajcë - Bardhaj.
Në rrethin e Gramshit ka probleme në aksin rural Gramsh - Porocan dhe Kthesa Kukrit - Kukër.
Rrethi i Elbasanit, problem ka komunen Shushicë në fshatin Hajdaran. Si rezultat i reshjeve të shiut ka rritje të nivelit të ujit në disa shtëpi, por pa probleme serioze.
Komuna Labinot Mal ka bllokim të aksit rural Xibrrakë - Labinot Mal dhe nga kthesa Labinot Fushë - Labinot Mal ka bllokim nga reshjet e dëborës dhe difekte në furnizimin me energji elektrike të popullatës. Komuna po merr masa për normalizimin e qarkullimit. Që në orët e mëngjesit në qytetin e Librazhdit dhe fshatrat e tij ka shkuar për një inspektim vetë prefekti Arben Kamami i cili po ndjek edhe nga afër punëtorët e mirëmbajtjes të cilët po punojnë për zhbllokimin e akseve të bllokuara./k.s/