/ATSH-Miranda Sadiku /- Rreth 60 fëmijë jetimë të qytetit të Elbasanit, kanë nisur që ditën e sotme të gëzojnë festat e fundvitit. Me iniciativë të deputetes së PS-së, Evis Kushi dhe të mjekes stomatologe Olesia Duka fëmijët kanë marrë dhurata të ndryshme.

Sipas Kushit " kjo është një iniciativë e parë e klinikës prestigjoze "Shendi Dent", e cila ka bërë të mundur edhe dhuratat për këta fëmijë dhe që në ardhmen do të bëjmë të mundur aktivitete të ndryshme". "Aktivitete të tilla nuk bëhen thjesht për të argëtuar fëmijët dhe për t'i bërë atyre dhurata, por për të sensibilizuar shoqërinë që këta fëmijë kanë më shumë nevojë për mbështetje, për më shumë dashuri, për shëndetin e tyre, shkollimin dhe të ardhmen e tyre. Unë jam e bindur se ne si shoqëri do të bëjmë shumë për ta".
Nga ana e saj mjekja stomatologe, e cila kishte përgatitur shumë dhurata për këta fëmijë Olesia Duka deklaroi se " është një kënaqësi që ndodhem sot në Elbasan, " Shendi Dent" dhuron buzëqeshje për këta fëmijë dhe një kontribut i vogël pse jo edhe në vazhdimësi për ta".Më pas aktiviteti vijoi me shpërndarjen e dhuratave si edhe me recitime të ardhura me mjaft emocione nga këta fëmijë jetimë.