Reformimi i sistemit të taksave në vend ishte në qendër të një takimi të zhvilluar mes ekspertësh të FMN-së dhe kryetarit të bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini.
Gjatë takimit, delegacioni i FMN-së, kërkoi kryesisht informacion mbi funksionimin e taksës së banesës në qytetin e Elbasanit.

Kryetari i Bashkisë, Sejdini i njohu ekspertët e FMN-së me mënyrën e funksionimit të pagesës së taksave nga ana e bizneseve dhe e familjarëve.

"Pas një aksioni të ndërmarrë nga institucioni që ai drejton, u bë një matje e të gjithë territorit të bizneseve, në mënyrë që të parandalohen abuzimet dhe pagesat të kryhen konform territorit të zënë", tha Sejdini.

Sipas Sejdinit, kjo bëri që të ardhurat nga taksa e ndërtesës për bizneset, të rritet ndjeshëm.

"E njëjta situatë nuk paraqitet edhe për familjarët. Taksa e ndërtesës për të gjitha familjet është e unifikuar", theksoi Sejdini duke shtuar se kjo vjen prej faktit se ende nuk ka një sistem të dixhitalizuar të qytetit nga ana e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive, ç'ka do të thotë se bashkia nuk ka një informacion të saktë për sipërfaqjen e banesave të çdo familjeje.

Më tej ekspertët e FMN-së kërkuan mendimin e kreut të bashkisë edhe për Reformën Administrativo-Territoriale, se si do të ndikojë ajo në strategjitë e zhvillimit të bashkisë së Elbasanit.

Sejdini tha se kjo reformë ishte një domosdoshmëri për zhvillimin e qyteteve dhe të fshatrave.

Bashkia e Elbasanit, tha ai, tashmë do të ketë të tjera resurse dhe është duke u përgatitur për një menaxhim sa më të mirë.

ATSH