ELBASAN- Kur të gjithë mendojmë për festat që tryeza e fundvitit të jetë plot, mjaft familje kanë shqetësim ushqimin e përditshëm. Në lagjen “Beqir Dardha” jo shumë larg qendrës së qytetit të Elbasanit ka shumë familje të varfra, ndër të cilat edhe familja Rapushi. Në një banesë në gjendje të mjerueshme jetojnë tre kurora. Secila familje ka një dhomë dhe pjesëtarët as nuk e konceptojnë ekzistencën e një frigoriferi.
 
Dy të moshuar, në gjendje thuajse të paralizuar, presin pensionin për të blerë gjërat që i duhen më shumë, si dhe pak ushqim. Shpërblimi i fundvitit është i pamjaftueshëm për ta.
 
Fëmijët janë ata që i ndjejnë më shumë festat, por në këtë shtëpi asgjë nuk të tregon se po afrohet ndërrimi i viteve dhe apo më të vegjlit të gëzojnë.
 
Madje nëna u ka rrëfyer se gjelin e fundvitit apo ëmbëlsirën nuk do ta kenë as këtë fundvit pasi nuk kanë para.
 
Ndër tre kurorat në të njëjtën banesë, ka prej tyre që nuk marrin më as ndihmën ekonomike.
 
Rrapushi, njëri nga djemtë e Shkëlqimit nuk ka punë, herë herë merret si punëtor krahu me orë, por që kjo nuk mjafton për të mbajtur familjen.
 
Vështirësitë janë të mëdha për familjet Rrapushi që jetojnë në një banesë të degraduar.
 
Asnjë sinjal feste, asnjë detaj nuk të ngushëllon që edhe këta pjesëtarë do të festojnë, pasi mes skamjes dhe mungesës së shpresës, aty nuk ka kuptim urimi gëzuar festat.
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)