Banorët e fshatit Tërbaç të njësisë administrative Gracen në Elbasan ankohen se kanë 6 muaj pa ujë të pijshëm. Sipas tyre bashkia i ka vënë kyçin depozitës dhe në banesat nuk u vjen asnjë pikë ujë.
 
Por ndërsa ujësjellësi është kyçur, atyre u vijnë faturat për të likuiduar ujin në masën 4200 lekë të vjetra. Madje dyshojë se këto fatura janë false.
 
Ky fakt i ka acaruar banorët të cilët shprehen se sot e 16 vjet kanë investuar vetë për ujësjellësin duke blerë pompa uji, tuba, kabuj elektrikë dhe duke paguar vetë energjinë. Gjithashtu sipas tyre ky ujë nuk mund të përdoret për të pirë pasi në depozitë është e ndotur.
 
Banorët shprehen se i kanë kërkuar pushtetit vendor që të ndërhyjë në ujësjellës, të rregullojnë depozitat, të vendosin matësit dhe ata garantojnë se do ta paguajnë rregullisht ujin.

“Ne i kemi sajuar të gjitha vetë. Me korent e me të gjitha. Na vijnë disa fatura false. Unë nuk kam lidhur kontratë ndaj dhe faturat nuk na vijën të rregullta sepse unë nuk kam lidhur kontratë. Të na sjellin sahatin”.
 
“Të gjitha punimet me krah i kemi bërë vetë edhe pompën e kemi paguar. Elektricistin e paguajmë vetë dhe na vijën faturat”, shprehen banorët.
 
Drejtorit të Zyrës së Informacionit, në Bashkinë e Elbasanit, Besim Dybeli thotë se për rastin konkret bëhet fjalë për 57 familje gjysma e të cilave furnizohet me rrjedhje të lirë dhe pjesa tjetër me ujë me pompë.

“Është ndërtuar një depo e cila furnizon me rrjet të lirë 35 familje në depo është instaluar një pompë sepse 22 familje janë mbi nivelin e rrjedhjes së lirë. Dje bashkia ka vendosur një pompë të re sepse ajo e vjetra që realisht është paguar nga vetë banorët për shkak të dritave ka dalë jashtë funksioni. Mund të ketë gabime procedurale por faturat janë të ligjshme”, shprehet Dybeli. 

Ai nënvizon se gjatë kësaj periudhe bashkia ka investuar për riparime. Sipas tij faturat janë të ligjshme dhe me anë të tyre mirëmbahet ujësjellësi dhe punonjësi që kujdeset.
 
Megjithatë banorët kërkojnë që ky problem të zgjidhet përfundimisht dhe jo vetëm me vendosjen e një pompe, po kështu të sigurohet edhe dezinfektimi dhe cilësia e ujit. 

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com