Elbasan- Një i dënuar me burgim të përjetshëm nga Greqia për narkotrafik, por i konvertuar në dy dekada izolim nga drejtësia shqiptare, është arrestuar sot (3 Shtator) nga Policia e Elbasanit, pasi ishte edhe në listën e të kërkuarve të Interpol Athinës.
Burime zyrtare konfirmuan se gjatë operacionit të koduar “Convert”, lokalizuan dhe prangosën të kërkuarin Agron Çakalli, 54 vjeç, banues në këtë qytet.
Nga dosja hetimore rezulton se shqiptari është dënuar në mungesë nga Gjykata e Apelit e Krimeve të Rënda në Kretë të Greqisë më 2 Dhjetor 2016, me burgim të përjetshëm për “trafik të lëndëve narkotike” dhe “kultivim i bimëve narkotike”.
Greqia ka transferuar dosjen drejt Shqipërisë dhe më 17 prill 2024, Gjykata e Apelit e ka njohur dënimin e vendit fqinj, duke e konvertuar në 20 vite izolim, nga mori edhe emrin operacioni në fjalë. Palët kanë rënë dakord që ky dënim të bëhet në vendin tonë pas arrestimit.