Një aksident me pasojë plagosjen rëndë të një familjeje me  tre persona ka ndodhur në vendin e quajtur " Ura e Lizës", në aksin rrugor Elbasan - Librazhd.
Si pasojë e shpejtësisë mësohet se drejtuesi i mjetit, identiteti i të cilit nuk është bërë i ditur nga Policia, ka humbur kontrollin e për pasojë ka përfunduar sipër një peme që ndodhej disa metra larg rrugës kryesore.
Menjëherë tre anëtarët e familjes janë transportuar për në spitalin rajonal të Elbasanit, ku sipas stafit mjekësor në kirurgji, mësohet se më rëndë gjendja shëndetësore është për kryefamiljarin, ndërsa janë jashtë rrezikut për jetën bashkëshortja dhe fëmija e tij.
Grupi hetimor në vendin e ngjarjes paraprakisht konkludon se shkak i aksidentit ka qenë humbja e kontrollit nga ana e drejtuesit të mjetit, i cili pasi ka tentuar të evitojë një gropë në rrugë, shpejtësia me të cilën po zëvizte ka bërë që ai të humbte kontrollin. /atsh/