ELBASAN - Policia e Elbasanit në bashkëpunim me Seksionin e Krimit Ekonomik e Financiar kanë arrestuar në flagrancë dy persona, punonjës të firmës “Aktor”, të cilët akuzohen se kanë vjedhur një sasi hekuri të firmës në fjalë.

Në prangat e policisë kanë rënë Gëzim Balla 32 vjeç dhe Roland Hyka 25 vjeç. Sipas policisë ata janë arrestuar në flagrancë duke përvetësuar më automjetin e tyre një sasi hekuri të firmës ku punonin “Aktor”, e cila ndërton hidrocentralin në Togëz të Librazhdit.

Materialet në ngarkim të tyre i kanë kaluar prokurorisë për veprime të mëtejshme procedurale për veprën penale “Vjedhje me anë të shpërdorimit të detyrës”.

Firma greke “Aktor” kryen gjithashtu punime në aksin “Tiranë-Elbasan”, dhe ku për banorët e zonës, kjo kompani është përgjegjëse për rrëshqitjet e dherave në fshatin Ibë, çka bëri që të bllokohet për mbi një javë ky segment rrugor. 

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)