Në ditën botërore të shëndetit mendor ISHP organizoi një aktivitet sensibilizues në Elbasan, si qyteti që ka spitalin më të madh në vend për trajtimin e sëmundjeve mendore. Me moton "Të jetosh me skizofreni" ISHP nëpërmjet këtij aktiviteti kërkon të ndërgjegjësojë qytetarët për rëndësinë e trajtimit të hershëm të sëmundjeve mendore. Andia Meksi, specialiste e shëndetit mendor në ISHP thekson se " të paturit e një problemi të shëndetit mendor nuk është i ndryshëm nga të paturit e një problemi të shëndetit fizik. Është e rëndësishme të njohësh simptomat, të gjesh mënyrën e trajtimit të tyre. Në përgjithësi spitalet psikiatrike kanë bërë ndryshime të dukshme për trajtimin e të sëmurëve, ndërsa shtoi se ka edhe shumë për tu bërë". Sipas OBSH crregullimet mendore dhe të sjelljes prekin 25% të të gjithë njerëzve gjatë jetëve të tyre. Pra, 1 në çdo 4 persona do të preket gjatë jetës së tij nga një çrregullim mendor. Rreth 450 milion njerëz vuajnë aktualisht në botë nga probleme të shëndetit mendor. Çrregullimet e ankthit dhe të humorit përbëjnë çrregullimet më të shpeshta mendore në botë.
ATSH
/Shqiptarja.com
ATSH










