ELBASAN- Një grup inspektorësh të Këshillit të Lartë të Drejtësisë kanë mbërritur sot paradite në Gjykatën e Shkallës së parë të Elbasanit për të verifikuar ankesat ndaj gjyqtarit Xheladin Karkini. Ndaj gjykatësit Karkini, ka pasur një sërë ankesash nga qytetarët dhe avokatët për neglizhencën në zbardhjen e vendimeve apo caktimin e datave të procesve gjyqësore.

Për këtë arsye ndaj tij ka pasur edhe një denoncim në Këshillin e Lartë të Drejtësisë (KLD) i cili ka vijuar me hetime ndaj gjyqtarit.

Ndërkohë që në Gjykatën e Elbasanit u dha sot masa e sigurisë për avokatin Bujar Dyrmishi. Gjykata vendosi lirimin e juristit i cili u arrestua pak ditë më parë pasi u konfliktua me gjyqtarin Xheladin Karkini, Ndaj tij është dhënë masa “detyrim me paraqitje”.

Avokati u arrestua më 19 shtator, kur avokati goditi me grushte gjyqtarin Karkini, në lidhje me orarin e seancës gjyqësore të radhës. Pas ndërhyrjes së policisë u bë ndalimi i avokatit. Në shenjë proteste ndaj arrestimit dhoma e avokatisë së Elbasanit pezulloi punën dhe nuk mori pjesë në asnjë seancë gjyqësore.
(sg/shqiptarja.com)